KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, Klinton fiton nominimin e demokratëve

SHBA, Klinton fiton nominimin e demokratëve

Hillari Klinton do të bëhet gruaja e parë që merr emërimin e një partie të madhe politike të SHBA. Të hënën ajo siguroi premtimin e një numri të mjaftueshëm delegatësh për të fituar emërimin në kuvendin e partisë. Fitorja vjen rreth 8 vjet pas pranimit prej saj të humbjes ndaj Barak Obamës në fushatën e vitit 2008, ku ajo garoi për herë të parë për Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha në atë kohë se nuk kishte mundur “të thyente tavanin më të lartë dhe më të fortë prej xhami”, një shprehje që do të bëhej e famshme. Këtë herë, duke bërë fushatë si pasardhësja e presidentit të parë afrikano-amerikan të vendit, zonja Clinton u përball me një sfidë çuditërisht të fuqishme nga ana e senatorit të Vermontit, Berni Sanders. Ai mobilizoi miliona njerëz me një mesazh liberal, ndërkohë që fushata e tij nxori në pah një nivel të lartë zhgënjimi në mbarë vendin ndaj politikës së vjetër. Zonja Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, ish-senatore e Nju Jorkut dhe ish-Zonjë e Parë, arriti të hënën numrin prej 2,383 delegatësh, që i nevojiten për të marrë emërimin e Partisë Demokrate me një fitore vendimtare në Porto Riko gjatë fundjavës dhe me një mbështetje të minutës së fundit nga një numër superdelegatësh.