KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, presidenciale. Klinton e bindur për fitoren; Sanders: Mos u nxito!
0204_Clinton_Sanders_getty

SHBA, presidenciale. Klinton e bindur për fitoren; Sanders: Mos u nxito!

Hillari Klinton shprehet e bindur që do të mbajë ngjyrat e partisë demokrate në presidencialet amerikane në nëntor, gjatë një interviste për CNN. “Do të jem kandidate e partisë sime”, tha ajo, ndërkohë që mbeten shumë primare dhe rivali i saj Bernie Sanders po qëndron në garë. “Kam marrë tre milionë vota më shumë se ai, kam një avantazh të pakalueshëm në numër delegatësh”, theksoi ajo, duke kujtuar se ajo vetë ishte përkulur përballë senatorit Barak Obama në qershor të 2008-ës. Por menjeherë pas këtyre deklaratave ka reaguar rivali I saj Bernie Sanders, I cili tha: “Hillary Clinton gabon nëse mendon se ka fituar zgjedhjet paraprake dhe kandidaturën presidenciale”. Përmes zëdhënësit të tij, Sanders i kërkoi Klintonit që të mos nxitohet. Duke kujtuar fitoret e fundit në zgjedhjet paraprake në shtete si Indiana, Virxhinia Perëndimore dhe Oregoni, Sanders tha se është e qartë se zgjedhësit kanë shprehur rezervat e tyre ndaj Klintonit. “Presim që votuesit në 8 garat e mbetura të shprehin sërish kundërshtimin e tyre ndaj Klintonit. Thuajse çdo sondazh kombëtar tregon se Sandersi është shumë më mirë se Klintoni ndaj Donald Trumpit dhe kjo bën të qartë faktin se miliona amerikanë kanë dyshime gjithnjë e në rritje për fushatën e Klintonit”, deklaroi zëdhënësi i Sandersit. Në fakt, sipas sondazheve, Sandersi udhëheq ndaj rivalit republikan Trump me 11,4%, ndërsa Klinton është para miliarderit me vetëm 3%. Sandersi konfirmoi se do të qëndrojë në garë deri më 14 qershor, që është edha data e garës së fundit elektorale brenda Partisë Demokratike.