KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, presidencialet: Obama mbështet zyrtarisht Klintonin
klinton obama

SHBA, presidencialet: Obama mbështet zyrtarisht Klintonin

Presidenti amerikan Barak Obama ka mbështetur edhe zyrtarisht kandidaten demokrate Hillari Klinton në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Mbështetja e tij ka ardhur pasi është takuar me senatorin e Vermontit, Berni Sanders, i cili ka qenë kandidati i vetëm rival i Klintonit për nominimin e partisë në pushtet. Duke folur përmes një videoje të publikuar në rrjetin social “Twitter” mbi zonjën Klinton, ish-Sekretare e Shtetit, Obama tha se ajo mund të konsiderohet edhe si personi më i kualifikuar ndonjëherë në histori për rolin e Presidentes së Amerikës. Dyshja në fjalë, që është përballur edhe për fitimin e nominimit demokrat para 8 vitesh, kur Obama erdhi për herë të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë, pritet të nisin së bashku fushatën presidenciale. Ish-kandidati demokrat për president në vitin 2008, Obama pasi e mposhti Klintonin dhe u bë i pari president me ngjyrë afroamerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara, e emëroi pastaj bashkëshorten e ish-presidentit Klinton në postin e Sekretares së Shtetit. Duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters” pasi siguroi mbështetjen e tij, Hillari Klinton tha se “ky vlerësim nënkupton gjithçka për të”.