KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA: Protesta pas vrasjes së të riut afro-amerikan
EPA/EUGENE GARCIA
EPA/EUGENE GARCIA

SHBA: Protesta pas vrasjes së të riut afro-amerikan

Protestat në Milluaki të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shndërruar në trazira të ashpra, si pasojë e pakënaqësisë nga vrasja e një të riu afro-amerikan nga policia vendase. Të shtëna me armë ka pasur edhe në protestat e mbrëmshme në qytetin amerikan, sipas policisë, pasi protestuesit dolën në rrugë për të dytën natë. Dhuna shpërtheu të shtunën, pasi policia qëlloi dhe vrau një 23-vjeçar të armatosur, pas një ndjekje të rrezikshme. Viktima ia mbathi nga makina e tij, pasi u ndalua nga policia, dhe shkëmbeu zjarr me agjentët, të cilët iu përgjigjën të shtënave, duke e lënë atë të vrarë. Por vdekja e të riut, nuk është pranuar nga një pjesë e komunitetit, ndaj dhe dhjetëra njerëz morën pjesë në protestat që degjeneruan në dhunë. Protestuesit sulmuan policinë me mjete rrethanore, si gurë dhe shishe, por edhe armë zjarri, ndërsa i vunë flakën disa ndërtesave, mes të cilave një pikë karburanti. Analistët thonë se protestat kundër policisë tashmë janë bërë një trend i zakonshëm në SHBA, ku ndërhyrjet e agjentëve konsiderohen gjithnjë të padrejta, apo tepër të dhunshme, pavarësisht situatës.