KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “SHELL” i vendosur të qëndrojë në Shqipëri
"SHELL" i vendosur të qëndrojë në Shqipëri

“SHELL” i vendosur të qëndrojë në Shqipëri

”SHELL”,një ndër kompanitë më të njohura në botë në fushën e kërkimit të naftës dhe të gazit, do të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri. Të premten në një cermoni ku mori pjesë dhe kryeministri Rama, kompania njoftoi se ka nisur shpimin e një pusi nafte në zonën Shpiragu 3. Maks Brawers, zëvendësdrejtor i “Shell” tha se “Jemi zyrtarisht për të nisur kërkimin në Shpirag 3, me një nga sondat më të mira dhe më të fuqishme në botë, me ekspertët më të mirë në këtë fushë”. Sipas tij thellësia e çpimit do të arrijë në 6 mije metra. Punimet parashikohet të zgjasin 437 ditë dhe kostoja mendohet të arrijë në 72 milionë dollarë.
Zoti Brawers tha me këtë rast se në procesin e kërkimit për rezervën e naftës dhe të gazit në këtë fushë, biznesi duhet të garantohet nga një kuadër ligjor e fiskal i qëndrueshëm e transparent. “Ne vendosëm të qëndrojmë në Shqipëri edhe pse investimet tona në disa vende janë ndërprerë. Bashkëpunimi me qeverinë shqiptare ka qenë shumë i mirë dhe ne premtojmë të jemi partnerë të mirë” tha ai.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij u ka kujtuar kompanive të huaja, që çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në mbrojtje të interesit të pasurisë së popullit shqiptar.”Falënderoj kompaninë “SHELL” për një përputhje ekzemplare mes fjalës dhe veprës, mes gjithçka me pasion SHELL propagandon për profilin e vet social dhe gjithçkaje që ne vetë kemi patur mundësinë të provojmë gjatë hartimit të marrëveshjes. Nuk ka qenë një marrëveshje e lehte, por e vërteta është se deri në fund ka qëndruar në një tavolinë për të lidhur një marrëveshje në harmonizim të plotë të interesave” tha kryeministri Edi Rama
Kompania SHELL GAZ e cila ka vite që operon në Shqipëri, ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet e parashikuara nga marrëveshja. Më 4 Nëntor 2013, kompania njoftoi zbulimin e një pusi nafte Shpiragu-2. Ky pus dha naftë me cilësi shumë të mira fizike dhe një debit 800-1300 fuçi/ditë dhe 45,000-50,000 m3/ditë gas shoqërues dhe përmbajtje të ulët H2S. Kompania SHELL, gjithashtu ka realizuar edhe shpimin e pusit Molishti-1, i cili dha informacion në lidhje me zhvillimin strukturor të brezit të Beratit si dhe rriti perspektivën e zonës, përsa i përket naftëgazmbajtjes më në jug të Shpiragut-2. Punimet sizmike të kryera në këto blloqe dhe interpretimi i tyre gjeologjik kanë hedhur dritë dhe e kanë shtuar perspektivën e zonës edhe më në jug të pusit të Molishtit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje arrijnë në rreth 270 milion USD.