KRYEFAQJA » LAJME » Shën Valentini, Xhon Kerri viziton Tiranën
Shën Valentini, Xhon Kerri viziton Tiranën

Shën Valentini, Xhon Kerri viziton Tiranën

Shqipëria dhe SHBA, po kremtojnë 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në një mënyrë disi të veçantë. Të dielën në Tiranë mbërrin për një vizitë tre orëshe sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri. Vizita e tij ishte paralajmëruar për t’u zhvilluar në muajin dhjetor, por u shty për shkak të impenjimeve të kreut të diplomacisë amerikane në ngjarjet dramatike në Siri.
Axhenda e vizitës së shefit të diplomacisë amerikane shënon pritjen në aeroporti nga presidenti Nishani, takimin në kryeministri me ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati, më tej një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë, Edi Rama, pas të cilit është lajmëruar një dalje para mediave. Zoti Kerri do të takohet edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Temat e diskutimeve do të përfshijnë reformën në drejtësi e cila lidhet me integrimin euroatlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe si dhe ato të politikës rajonale e ndërkombëtare. Një prej tyre është dhe mundësia e strehimit në Shqipëri të një numri të konsiderueshëm të muxhahedinëve iranianë që përndiqen politikisht në vendin e tyre.
Vizita e zotit Kerri shënohet si vizita e pestë e një shefi të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri.
Ato nisin me vizitën historike në vitin 1991 në Tiranë të sekretarit Xhejms Bejker, të cilit iu rezervua një pritje madhështore nga shqiptarët që sapo kishin dalë nga diktatura më e egër në lindjen komuniste.
Gati dhjetë vjetë më vonë në vitin 2000 në Tiranë mbërriti Medlin Ollbrajt, ndërsa në vitin 2003 Shqipërinë e vizitoi sekretari i atëhershëm Kolin Pauell. Një moment i rëndësishëm është dhe vizita në nëntor 2012, sekretares amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, aktualisht kandidate e demokratëve për në Shtëpinë e Bardhë. Por pa dyshim, ngjarja më kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W. Bush.