KRYEFAQJA » LAJME » Shëndetësi, intensifikohet shpërndarja e kartave të shëndetit
Shëndetësi, intensifikohet shpërndarja e kartave të shëndetit

Shëndetësi, intensifikohet shpërndarja e kartave të shëndetit

Kryeministri Edi Rama i cili po ndjek hap pas hapi projektin e qeverisë për mbulimin universal shëndetësor të popullsisë, ka kërkuar kalimin sa më shpejt në shërbimin shëndetësor elektronik nëpërmjet Kartës së Shëndetit. Gjatë vizitës së një qendre shëndetësore në Tiranë, zoti Rama tha se “Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër, janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe”.
Drejtoresha e FDKSH-së, Vjollca Braho, tha se “Me përfundimin e recetës elektronike në gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, apo marrja e ilaçeve në farmaci”.
Karta e Shëndetit është një ndër hapat kryesorë për modernizimin e shërbimit shëndetësor, pjesë e reformës së gjithanshme në shëndetësinë shqiptare. Shpërndarja e saj ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar atë e përfituan rreth 692 500 karta. Ndërsa nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti. Përdorimi i kësaj karte përbën një lehtësi edhe për mjekun e familjes. Deri dje ai ishte i detyruar të plotësonte fletë libreze pa fund, ndërsa tashmë fokusohet tek qëllimi i detyrës së tij, kujdesi ndaj qytetarit.
Autoritetet shqiptare thonë se informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve; regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike, si dhe për qytetarët. Kjo eliminon një radhë dokumentesh që deri dje nevojiteshin për t’u pajisur me Kartën e Shëndetit.