KRYEFAQJA » LAJME » Shëndetësi, prezantohet receta elektronike
Shëndetësi, prezantohet receta elektronike

Shëndetësi, prezantohet receta elektronike

Ministria e shëndetësisë ka nisur prej afro tre muajsh në Durrës, programin e zëvendësimit të recetave të vjetra, të lëshuara me dorë nga mjeku, me recetën elektronike. Kjo recetë është program i teknologjisë së informacionit që mundëson gjenerimin, transmetimin dhe plotësimin e recetave mjekësore. Nëpërmjet këtij sistemi, mjeku harton dhe transmeton në mënyrë elektronike një recetë dhe po ashtu, edhe farmacisti ekzekuton në mënyrë elektronike recetën.
Sistemi i ri i jep mundësinë FSDKSH-së të monitorojë dhe të kontrollojë në kohë reale dhe të rimbursojë recetën elektronike. Gjatë këtyre dy muajve, 129 mjekë dhe 75 farmaci kanë vepruar vetëm me recetën elektronike dhe janë lëshuar 29,646 receta për 13,483 pacientë.
Duke prezantuar suksesin e pilotimit të recetës elektronike, kryeministri Edi Rama, garantoi shqiptarët se qeveria do të përmbushe premtimin për shëndetësi falas. Zoti Rama tha se shteti po krijon bazën e të dhënave për politikbërje të sakta, për kujdesin shëndetësor. Ai i “…hap rrugën një transformimi rrënjësor, qoftë për të siguruar shpejtësi në shërbimin ndaj njerëzve në nevojë për kujdes shëndetësor, qoftë për të siguruar transparencë në administrimin e fondeve në shërbim të kujdesit shëndetësor” u shpre zoti Rama. Ai shtoi më tej se ky hap “…mbyll një kapitull 20 e kusur vjeçar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve të rimbursimit… “.
Por për kreun e opozitës, Lulzim Basha, shëndetësia shqiptare është në ditën më të keqe. Në një deklaratë për shtyp vlerësohet se këto vite, ilaçet humbën sigurinë dhe spitalet u mbushën me militantë. Sipas zotit Basha, mbi 360 milionë euro që mund të ishte investimi historik në shëndetësi, u ndanë me klientelën në konçesionet më skandaloze që kanë ndodhur ndonjëherë.