KRYEFAQJA » LAJME » Shënohen dy viktima të tjera nga i ftohti i acartë

Shënohen dy viktima të tjera nga i ftohti i acartë

Pasojat e motit të keq dhe të ftohtit kanë shënuar dy viktima të tjera në Shqipëri. Një 61-vjeçar nga qyteti i Sarandës ka ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulta. Në komunikatën zyrtare Policia bën të ditur se personi është gjetur i pajetë rreth orës 9 të mëngjesit në hyrje të shtëpisë së tij private. Nga veprimet e para hetimore, në trupin e viktimës nuk ka pasur shenja dhune, ndërsa dyshohet se ka ndërruar jetë nga i ftohti. Personi tjetër një 55 vjeçar, sipas njoftimit të policisë së Gjirokastrës, u gjet i pajetë në banesën e tij në fshatin Kakoz të Lunxhërisë, ndërsa një 75 vjeçar u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Shkaku mendohet të ketë qënë ngrohja me qymyr dhe çlirimi i gazrave të tij, ka krijuar asfiksi tek këta persona. Policia është në vendgjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të këtyre shkaqeve. Ndërsa në Darragjat të Shkodrës familjarët e një 70 vjeçari njoftuan policinë se i moshuari ishte larguar prej orësh nga shtëpia. Sipas deklarimeve të tyre, ai ka shkuar në breg te lumit Buna për të mbushur ujë dhe nuk është kthyer më. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nga hetimet paraprake dyshohet se mund të ketë rrëshkitur në lumë.