KRYEFAQJA » LAJME » Sheshi “Skënderbej”, së shpejti nis puna për transformimin e tij
Ndërtimi i Sheshit "Skënderbej", normalizohet qarkullimi

Sheshi “Skënderbej”, së shpejti nis puna për transformimin e tij

Sheshi “Skënderbej”, apo siç thirret me humor prej disa kohësh “Kodrina Skënderbej”, kryeqendra e Tiranës, të ndryshojë sërish. Bashkia e kryeqytetit ka vendosur ta rindërtojë atë bazuar kryesisht në një projekt të nisur që në kohën kur kryetar i saj ishte kryeministri i sotëm Edi Rama. Ndryshimi i pushteteve në Bashkinë e Tiranës në vitin 2011, solli edhe një ndryshim të pamjes së sheshit. Punimet e nisura nga zoti Rama, u groposën nga pasardhësi i tij zoti Basha, me deklaratën se projekti do të duhej të rivlerësohej.
Por ardhja në krye të Bashkisë e zoti Veliaj, duket se ka rikthyer çdo gjë në situatën e para katër viteve. Në prezantimin e projektit të martën në Tiranë nuk munguan edhe deklaratat thumbuese të zotit Rama për pasardhësin e tij në bashki kreun e opozitës Basha.
Projekti për rindërtimin e Sheshit “Skënderbej” pritet të realizohet në 12 muaj dhe ai do ti dedikohet vetëm këmbësorëve. Kjo do të ndikojë në ritmin e qytetit i cili e ka konsideruar sheshin si pikë kryesore të qarkullimit të makinave.
Sheshi parashikohet të ketë ndër të tjera 11 lulishte të vogla. Elementët kryesor të zgjedhur nga projektuesit janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave.
Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.
Sa i përket gjelbërimit, projekti parashikon që qendra e Tiranës të jetë një kopësht me pemë dhe bimë dekorative nga e gjithë Shqipëria.
Projektuesit çmojnë edhe këndvështrimin ekologjik. Ata parashikojnë të shfrytëzojnë ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Në këtë projekt do të ketë rreth 2100 m3 rezervuare për të mbajtur këtë ujë. Gjithashtu dhe ndriçimi i godinave publike që rrethojnë këtë shesh do të bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.
Projekti për rindërtimin e Sheshit “Skënderbej” konsiderohet edhe si një kantier i madh punësimi. Në realizimin e tij do të angazhohen rreth 950 punëtorë dhe specialistë.
Të ndërgjegjshëm se zbatimi i projektit do të sjelli vështirësi, autoritetet kanë bërë thirrje për durim, sipas tyre për një të ardhme më të mirë.