KRYEFAQJA » LAJME » Shkarkohet nga detyra zyrtari i përfolur për trafik droge
Shkarkohet nga detyra zyrtari i përfolur për trafik droge

Shkarkohet nga detyra zyrtari i përfolur për trafik droge

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Transportit në Sarandë Klement Balili është shkarkuar nga detyra. Lajmi është dhënë nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani për gazetarët në parlament. “Në dijeninë time personi që ju flisni është shkarkuar për ti dhënë mundësinë organeve të hetimit për ta marrë personin ta hetojnë si qytetar i lirë” tha zoti Manjani duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve.
I pyetur për lidhjet e Balilit me LSI-në, zoti Manjani tha se partia e tij e ka të konfirmuar mosmbrojtjen politike ndaj askujt kryetar, anëtar, votues apo simpatizant të LSI-së. “Ne nuk mendojmë se partitë politike duhet të konkurojnë me organet e ndjekjes penale që kanë mbështetjen time maksimale, por dhe të LSI-së. Ne mendojmë se çdo kush e ka kokën në shpatullat e veta dhe nuk ka pse të ngatërrojmë detyrat apo çështjet personale me ato të menaxhimit” tha ministri shqiptar i drejtësisë.
Opozita duke ju referuar edhe mediave ndërkombëtare, e ka përmendur emrin e Balilit si një person që drejton trafiqe ndërkombëtare droge dhe të lidhur me zyrtarët më të lartë shqiptarë përfshirë ministrin e brendshëm Tahiri. Zoti Tahiri dhe zyrtari në fjalë i kanë hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si pjesë e luftës politike. Ende nuk dihet nëse drejtësia ka nisur ndonjë proces  ndaj Balilit.