KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shkodër: Ekspozitë “Shkodra familja ime, biçikleta ime, historia ime”
Shkodër: Ekspozitë "Shkodra familja ime, biçikleta ime, historia ime"

Shkodër: Ekspozitë “Shkodra familja ime, biçikleta ime, historia ime”

Përtej Marubit, Shkodra ka edhe një traditë tjetër si rrallë qytet tjetër në Shqipëri, një jetë jetuar me biçikletën. E pikërisht 80 vitet e fundit të Shkodrës janë mbledhur në një album fotografik në ekspozitën “Shkodra familja ime, biçikleta ime, historia ime”.

24 fotografi bardh e zi të realizuara që nga viti 1935 e deri në vitin 1989 nga fotografë amatorë, por edhe nga maja e fotografisë shqiptare – Gegë Marubi – iu paraqitën për herë të parë publikut në një ekspozitë me tematikë biçikletën.

Duke folur në emër të jurisë, antropologu i njohur Prof. Përparim Kabo kujtoi artisten e madhe shkodrane Marie Logoreci, e cila ishte gjithashtu një nga pedalueset e pakta femra të viteve ’50, duke përshkuar madje me biçikletë, rrugën nga Shkodra në Tiranë, me bashkëshortin e saj.

Ekspozita përmban 24 fotografi të përzgjedhura nga konkursi i shpallur nga Organizata GO2 në Gusht të këtij viti. Në konkurs morën pjesë 26 konkurrentë të cilët paraqitën 66 fotografi bardh e zi, të realizuara para vitit 1990. Ata sollën fotografi nga albumet familjare dhe pranuan t’i bëjnë publike historitë e tyre. Në bazë të vlerësimit të jurisë, 12 fotografitë më të mira u përfshinë në albumin me të njëjtin titull, i cili u promovua po mbrëmë, në hapësirat e ekspozitës “Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime”.