KRYEFAQJA » LAJME » Shkodër, përkujtohet mesha e parë pas rrëzimit të diktaturës
Shkodër, përkujtohet mesha e parë pas rrëzimit të diktaturës

Shkodër, përkujtohet mesha e parë pas rrëzimit të diktaturës

Në një ceremoni të veçantë në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër, të mërkurën u përkujtua 25- vjetori i mbajtjes së meshës së parë pas rrëzimit të diktaturës 50 vjeçare komuniste, datë që ka shënuar edhe rikthimin e të drejtës së shprehjes dhe lirinë e ndërgjegjes në Shqipëri. Duke folër në cermoni, kryeministri Edi Rama e krahasoi meshën e 4 nëntorit 1990, me një rreze drite. “Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shqoqërur fjalën e e Dom Simon Jubanit, ka qenë momenti i parë i çlirimit nga ankthi dhe i përjetimit të jashtëzakonshëm të së vërtetës, se e shkuara ishte kredhur në të shkruarën dhe se ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave” tha zoti Rama.
Ai kujtoi se Shqipëria është në krye të listës së gjithë botës së krishterë, për numrin e martirëve, dhe kjo vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe prej tyre  i përkisnin klerit katolik të Shkodrës. Zoti Rama tha se “ajo që ndodhi atë nëntor këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër veçse këtu. Ky vend është shumë më tepër se sa një varrezë. Është një kopësht shpirtëror dhe një lëndinë jo për vaje, por për lutje në paqe dhe në shpresë” tha ai.
Kryeministri Rama vlerësoi se çdo monument në fushën e varrezave të Rrmajit, është më shumë se sa varri i dikujt.  “… është si një stacion në historinë e kishës, të kulturës, të arteve dhe në historinë shpirtërore të Shkodrës që është padyshim jo pjesë, por një pjesë pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbte kuptimin” tha ai.