KRYEFAQJA » LAJME » Shkrimi i “The Economist”, shkakton polemika
Shkrimi i "The Economist", shkakton polemika

Shkrimi i “The Economist”, shkakton polemika

Shkrimi i “The Economist”, “Shqipëria udhëheq reformat në rajonin e Ballkanit”, i botuar në numrin e saj të fundit të datës 16- 22 janar 2016, është bërë objekt shkëmbimi polemikash mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo e fundit, me anë të një deklarate të sekretares së marrdhënieve me publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma, akuzoi kryeministrin Edi Rama se “ka shpenzuar qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për të blerë 8 faqe reklamash në revistën më të shtrenjtë në botë, “The Economist”, për një artikull-reklamë që thur lëvdata për të, por që në krye tregon se është shkrim i paguar”.
Por në një reagim të kryeministrisë shprehet keqardhja që “Ndodh vetëm në Shqipëri që një parti opozitare të akuzojë qeverinë përse promovon vendin dhe kërkon te nxisë investimet e huaja”. Duke vlerësuar “The Economist” si një nga revistat më prestigjioze në rang botëror, promovimi i Shqipërisë, shkruan kryeministria, “është një mundësi e shkëlqyer për të tërhequr investime te huaja të rëndësishme në Shqipëri, që krijojnë më shumë vende të reja pune, nxisin turizmin dhe prodhimin vendas”. “Fatmirësisht, kjo qeveri, ndryshe nga qeveria e kaluar, nuk shpenzon miliona dollarë para publike as për të transmetuar reklama qeveritare, as për të paguar lobiste që kërkesë të vetme nga qeveria kishin përhapjen anembanë botës së baltës së shpifjeve të ish-kryeministrit ndaj opozitës së vendit” nënvizon deklarata e kryeministrisë. Sipas kësaj deklarate “Partia Demokratike vazhdon të sillet si qeveria e vjetër, me gjuhen urrejtjes, shpifjet dhe baltosjen primitive që nxjerr në pah çdo dite mungesën e lidershipit, të programit e të ideve për Shqipërinë. Koha kërkon që Partia Demokratike të zhvishet nga lëkura e qeverise se vjetër e të behet opozita e re që i mungon Shqipërisë prej dy vjetësh e gjysëm” këshillon deklarata e qeverisë shqiptare.