KRYEFAQJA » LAJME » Shkurtime në shëndetësi? Nisin debatet
Shkurtime në shëndetësi? Nisin debatet

Shkurtime në shëndetësi? Nisin debatet

Komisioni parlamentar i shëndetësisë është përfshirë nga debate të forta pasi ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj paraqiti një projekt për shkurtimin e personelit mjekësor. Sipas zotit Beqaj bëhet fjalë për shkurtimin e plot 338 vendeve të punës në 24 spitale të vendit. Në përqindje sipas ministrit këto shkurtime përfaqësojnë 5 për qind të personelit mjekësor dhe 20 për qind të atij jo mjekësor. “Spitalet bashkiake në totale kanë 2063 shtretër. Kurojnë në vit 45.783 pacientë. Numri i mjekeve në spitalet bashkiake 2015 është 340 dhe bëhet 353, pra, RRITET me 4 për qind, ose 13 mjekë gjithsej. Numri i bluzave të bardha ishte 2019 dhe bëhet 1919 (mjekë, infermierë, laborantë, farmacistë) dhe pakësimi është vetëm 5 për qind” solli argumentat e tij ministri Beqaj.
Por kryetarja e komisionit parlamentar të ekonomisë Albana Vokshi akuzoi ministrin se me shkurtimet e vendeve të punës, po hedh në rrugë 600 familje. Ajo përsëriti dhe akuzat e njohura për korrupsion.
Por veç deputetes së opozitës, ishte dhe edhe ai i maxhorancës deputeti i LSI Petrit Vasili, i cili u shpreh kundër shkurtimeve. Shëndetësia është sektori më i gabuar për të bërë shkurtime, u shpreh zoti Vasil, dikur ministër i shendetësisë. “Në të gjitha rastet e historive kur administrata ka pasur nevojë, shëndetësia nuk është shkurtuar pasi ka qënë gjithmonë me një personel që i përdorur mirë ka qënë nën nivelin e kërkuar. Shkurtimet që kanë ndodhur kanë qënë traumatike sa herë që kanë ndodhur”, tha zoti Vasili.
Debatet në komisionin e shëndetesisë, pritet të rrezatojnë debate të mëtejshme edhe në nivele të tjera për shëndetësinë shqiptare.