KRYEFAQJA » LAJME » Shpërndarja e librave fillon me 25 gusht, shkolla me 13 shtator
Shpërndarja e librave fillon me 25 gusht, shkolla me 13 shtator

Shpërndarja e librave fillon me 25 gusht, shkolla me 13 shtator

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shitja e teksteve shkollore do të fillojë me 25 gusht dhe do të përfundojë me 12 shtator 2016. Të gjithë librat e nxjerrë në shitje detyrimisht duhet të kenë pullën dhe hologramën e MAS-it.

Viti i ri shkollor parauniversitar 2016-2017 do të fillojë ditën e hënë më 13 shtator 2016. Për arsimin bazë viti shkollor mbaron me 9 qershor 2016 ndërsa për arsimin e mesëm viti shkollor mbaron me 16 qershor 2017. Përjashtim përbëjnë maturat viti shkollor mbaron me 31 maj 2017. Provimet e Lirimit për arsimin bazë zhvillohen në periudhën 10 – 30 qershor 2017 ndërsa provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen në periudhën 1 – 30 qershor 2017.

Ministria njofton se përgjegjës për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore janë botuesit dhe shpërndarësit përkatës. Shitja e teksteve shkollore do të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të liçencuara. Me kërkesën e botuesve apo të shpërndarësve të teksteve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të caktojnë falas një ose dy pika për shitjen e teksteve për periudhën 25 gusht deri me 12 shtator 2016.

MAS sqaron se ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve për nxënësit e pakicave kombëtare. Subjektet e liçencuara për shitjen e teksteve shkollore në pikat e shitjes të hapura në ambientet pranë shkollave nuk lejohen të shesin tekste që nuk i përkasin katalogut.