KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Shpëtohen 6500 refugjatë pranë brigjeve të Libisë
EPA/MARINA MILITARE /
EPA/MARINA MILITARE /

Shpëtohen 6500 refugjatë pranë brigjeve të Libisë

Rreth 6500 migrantë janë shpëtuar dje nga roja bregdetare italiane, në një operacion që konsiderohet më i madhi i këtij lloji deri tani. 40 misione të koordinuara u zhvilluan në det, rreth 20 kilomentra larg qytetit bregdetar të Sabratas në Libi. Pamjet e publikuara nga mediat e huaja tregojnë migrantë që nga Eritrea dhe Somalia që brohorasin dhe disa prej tyre notojnë drejt mjeteve të shpëtimit. Mes migrantëve kishte edhe shumë fëmijë. Përveç rojes bregdetare italiane në këtë operacion u përfshinë edhe mjetet e agjensisë europiane të kufirit Fronteks, vullnetarët e shoqatës jofitimprurëse Proaktiva dhe Mjekët pa Kufi. Migrantët udhëtonin me mjete të papërshtatshme, të mbipopulluara, me sasi karburanti që mjaftonte aq sa për të pritur shpëtimtarët e tyre. Më shumë se 1 milionë migrantë, shumë prej të cilëve nga Siria, hynë në Europë vitin e shkuar, duke i dhënë shtysë një krizë dhe përçarjeje mes vendeve të BE-së në lidhje me përballimin e fluksit të tyre. Në muajin mars, Bashkimi Europian arriti një marrëveshje me Turqinë, përmes së cilës synohej ndalimi i migrantëve që hyjnë në Greqi nga Turqia ndërsa vendet ballkanike mbyllën kufinjtë e tyre. Si rezultat i kësaj, ra numri i refugjatëve që përdornin të ashtuquajturën rrugën e Mesdheut lindor. Megjithatë, migrantë nga vende afrikane si Eritrea, Somalia Nigeria dhe Gambia vijojnë të përpiqen të hyjnë në Itali përmes Libisë. Disa kërkojnë mundësi më të mira ekonomike në Europë, ndërsa të tjerë largohen nga lufta, paqëndrueshmëria apo qeveritë autoritare në vendet e tyre.