KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Shpëtohen mbi 1400 emigrantë në Mesdhe

Shpëtohen mbi 1400 emigrantë në Mesdhe

Mbi 1400 emigrantë u shpëtuan në 24 orët e fundit në Mesdhe në 13 operacione të ndryshme nga anijet italiane, franceze e irlandeze. Roja bregdetare italiane tha se emigrantët u gjenden në det të hapur në 11 varka gome të tejmbushura që rrezikonin fundosjen nga mbipesha dhe moti i keq. Numri i emigrantëve që kanë arritur në Itali nga Afrika Veriore ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Ministria e Brendshme tha se këtë vit kanë hyrë mbi 171,000 emigrantë, duke vënë nën trysni të fortë sistemin e azilit të Italisë. Rritja e numrit të të arriturve ka ndodhur pasi rrugët përmes Greqisë dhe Ballkanit janë mbyllur, sipas marrëveshjes midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë në muajin mars. Në vitin 2015, mbi një milion migrantë kanë arritur në Evropë, kryesisht përmes Turqisë.