KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shqipëri – Itali, ide e re bashkëpunimi

Shqipëri – Itali, ide e re bashkëpunimi

Grotaglie është një provincë e krahinës së Puljas në Itali, e famshme sidomos për qeramikën. Këtu thuajse çdo derë është një punishte apo botega, siç emërtojnë në italisht, e punimeve të dorës së qeramikës, por edhe drurit, hekurit apo gurit. E një prej dizenjatorëv është artisti i njohur italian, Antonio Vestita, i cili ka vizituar edhe Shqipërinë e duke njohur fare mirë artin e saj në këtë fushë hedh edhe ide bashkëpunimi: “Mënyra e vetme për të bërë gjërat është t’i bëjmë bashkë, të bashkojmë kulturat sic jemi të bashkuar nga i njëjti det e të prodhojmë gjëra antike, por me vizion të ri. Në Berat, në Shqipëri kam parë artizanë të shkëlqyer, që më kanë mallëngjyer, e prej të cilëve kam mësuar teknikën e të punuarit me shumë përqendrim dhe në qetësi. Them se do ishte shumë e dobishme të krijonim një shkollë të përbashkët ialo-shqiptare mbi qeramikën, artizanatin”.

Ndërsa ikonografia italiane Libera Ribezzo shton një tjetër ide mbi pasuritë që fshehin shpellat mesdhetare: “Mesdheu ka mjaft shpella të mbushura me mbishkrime, ikona, të cilat duhen eksploruar. Këtë jemi duke kërkuar që të bëjmë në Itali. Jam thuajse e sigurt që edhe në Shqipëri duhet të ketë të tilla, e të cilat kam dëshirë t’i eksploroj dhe studioj”.

E teksa objekte të tilla duken luks përballë krizës së sotme ekonomike, sa e ndiejnë artistët e këtij lloji krizën? “Ekonomia po na con drejt një vizioni mbi gjërat ngushtësisht të nevojshme. Por të kesh gjëra të bukura a nuk është e nevojshme për shpirtin?”