KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëri – Kosovë, krijohet sekretariati i përbashkët
Shqipëri - Kosovë, krijohet sekretariati i përbashkët

Shqipëri – Kosovë, krijohet sekretariati i përbashkët

Shqipëria dhe Kosova kanë zyrtarizuar të premten krijimin e një sekretariati të përbashkët, i cili synon gjetjen e modeleve më të mira të implementimit të të gjitha detyrimeve që kanë dalë nga takimet e përbashkëta të dy qeverive. Për ngritjen e tij u ra dakord në mbledhjen e tretë të qeverive të të dy vendeve që u mbajt në Prishtinë në qershor të këtij viti.
Në momentin inagural zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj tha se “Takimi i sotëm para së gjithash rikonfirmon vullnetin dhe angazhimin e përbashkët politik për të forcuar kuadrin e bashkëpunimit të gjithanshëm të dy vendeve tona, me synim krijimin e një hapësire të lirë ndërveprimi për idetë, kapitalet, tregtinë, inovacionin, si dhe çdo fushë tjetër me interes të përbashkët”.
Ndërsa zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Odeta Barbullushi tha se “Objektiv i Sekretariatit është edhe bashkërendimi dhe koordinimi, por edhe roli i përgatitjes edhe për mbledhjet e ardhshme të të dyja qeverive”.
Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare brenda dy viteve të fundit kanë zhvilluar tre mbledhje të përbashkëta, të cilat vlerësohet se kanë krijuar një bazë të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi, tregti, energjetikë, infrastrukturë, arsim, kulturë, mjedis e fusha tjera me interes dypalësh. Por palët vlerësojnë se të dyja vendet kanë ende shumë hapësira të pashfrytëzuara në funksion të zhvillimit të gjithanshëm.