KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive në Prishtinë kurorëzohet me marrëveshje dhe memorandume
Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive në Prishtinë kurorëzohet me shtatë marrëveshje dhe memorandume

Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive në Prishtinë kurorëzohet me marrëveshje dhe memorandume

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të premten në Prishtinë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi,që synojnë të nxisin marrëdhëniet ekonomike e tregtare si dhe të iniciojnë projekte me interes të përbashkët. Firmat u hodhën nga ministrat e sektorëve përkatës pas një mbledhjeje të përbashkët mes qeverive të të dy vendeve. Ky ishte takimi i tretë i përbashkët mes dy kabineteve në harkun kohor të tre viteve.
Marrëveshja e parë e arritur ndërmjet Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës ishte ajo në fushën e hetimeve administrative, tatimore dhe doganore . Po këto dy ministri kanë vendosur edhe për krijimin e qendrës së përbashkët trajnuese.
Ndërkaq një memorandum mirëkuptimi u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Mjedisit të Shqiperisë dhe ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor të kosovës për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të zhvillimit të qendrueshëm.
Një marrëveshje tjetër bashkëpunimi ishte ajo ndërmjet Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratës Publike të Shqipërisë dhe Ministrisë për Administratë Publike të Kosovës, e cila parashikon ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës arritën marrëveshje mbi njohjen e ndërsjellë të çertifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore.
Ndërsa ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës u arrit një memorandum bashkëpunimi.
Marrëveshja e fundit e arritur ishte marrëveshja e partneritetit në mes të Ministrisë së Integrimit Evropian të Shqipërisë si udhëheqëse dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, si partnere në menaxhimin e asistencës teknike të programit IPA II Shqipëri – Kosovën 2014-2020.
Ministrat përkatës nga të dy qeveritë dhanë opinionet e tyre dhe pritshmëritë për këto marrëveshje dhe memorandume.
Kryeministrat Rama dhe Mustafa shprehën kënaqësinë për këtë takim. Zoti Mustafa tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshje i ka kaluar pritshmëritë e tij, ndërsa zoti Rama, duke shprehur vendomërinë e thellimit të bashkëpunimit përsëriti deklaratën e njohur e bashkimit mes dy vendeve nëpërmjet integrimit europian.
Referuar të dhënave Shqipëria dhe Kosova kanë intensifikuar nivelin e shkëmbimeve tregtare. Të dy vendet janë të angazhuara të nxisin bashkëpunimin ekonomik e tregtar si dhe të iniciojnë projekte me interes të përbashkët ekonomik dhe shoqëror, duke synuar ecjen në të njëjtën linjë me zhvillimin ekonomik. Volumi tregtar me Kosovën në vitin 2015, arriti ne 190 milionë euro. Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kapën vlerën e 150.5 milonë eurove, ndërsa importet e Shqipërisë nga Kosova 39 milionë euro. Volumi tregtar pësoi rritje me 7.4 për qind në krahasim me vitin 2014.