KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëri-Maqedoni: Nënshkruhet protokolli për ndjekje ndërkufitare
Shqipëri-Maqedoni: Nënshkruhet protokolli për ndjekje ndërkufitare

Shqipëri-Maqedoni: Nënshkruhet protokolli për ndjekje ndërkufitare

Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan sot në Tiranë një dokument që synon forcimin dhe bashkëpunimin policor dhe operacional ndërmjet strukturave të dy vendeve fqinje. Ky dokument i emërtuar “Protokolli ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë për ndjekjen konstante ndërkufitare”, i cili u nënshkrua nga zv/ministri Stefan Çipa, kurse për palën maqedone, nga homologu i tij Agim Nuhiu, përcakton si dhe ku mund të kryhet ndjekja e personave që dyshohen si shkelës të ligjit, në territoret e shteteve respektive.

Ky protokoll lejon kalimin e kufirit, pa ndonjë miratim, të njësive policore thjesht duke lajmëruar palën mike për operacianin policor. Ndjekja e shkelësve të ligjit të të dy vendeve mund të bëhet përgjatë vijave kufitare brenda vendit fqinj, jo më larg se 10 kilometra nga kufiri dhe në një hark kohor jo më shumë se 60 minuta. Protokolli në fjalë i hap rrugë shkëmbimit të përvojave dhe e bën më të efektshme luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Marrëveshja synon edhe rritjen në shkëmbimin e informacionit mes dy policive me qëllim që të parandalohet krimi ndërkufitar.