KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëri, po nis dimri i vërtetë
Shqipëri, po nis dimri i vërtetë

Shqipëri, po nis dimri i vërtetë

Reshjet e shiut, dëborës dhe temperaturat e ulta kanë përfshirë Shqipërinë. Situata po vështirësohet gjithnjë e më shumë veçanërisht në juglindje dhe verilindje të vendit, ku trashësia e dëborës po rritet.
Në qarkun e Kukësit dhe atë të Dibrës, trashësia e dëborës i ka kaluar 10 centimetra në qytete, ndërsa në fshatra është rreth 30 centimetrata. Sipas njoftimeve rrugët nacionale, Rruga e Kombit dhe aksi Tiranë-Peshkopi është i hapur, ndërsa rruga Peshkopi-Kala e Dodës kalohet me zinxhirë për shkak se trashësia e borës është më e madhe. Autoritetet njoftojnë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes për shkak të pranisë së akullit në rrugë.
Në juglindje situata më e vështirë vihet re në rrugën nacionale në Qafën e Thanës dhe Qafë Plloçë, si dhe në rrugët malore.
Ndërmarrjet e pastrimit të rrugëve po punojnë me intensitet, ndërsa policia po mbikqyr me kujdes qarkullimin e automjeteve.
Shërbimet meteorologjike njoftojnë se java e ardhshme do të mbizotërohet nga temperaturat e ulta nga minus 6 në Tiranë deri në minus 15 në juglindje dhe në verilindje të Shqipërisë. Sipas tyre ky do të jetë dimri i vërtetë i këtij viti.