KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Bullgaria të angazhuar të bashkëpunojnë për integrimin europian të Shqipërisë

Shqipëria dhe Bullgaria të angazhuar të bashkëpunojnë për integrimin europian të Shqipërisë

Shqipëria dhe Bullgaria janë angazhuar të bashkëpunojnë për përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë. Një memorandum mirëkuptimi për këtë aspekt është nënshkruar të martën në Sofie të Bullgarisë mes ministrit të jashtëm shqiptar Bushati dhe atij bullgar Mitov. Dy Ministrat kanë biseduar për ngritjen e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë, si edhe në kulturë dhe turizem. Marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dialogu politik intensiv konsiderohen të rëndësishme dhe për rajonin. Ministrat kanë vecuar rëndësine e ndërlidhjes energjetike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, nëpërmjet Maqedonisë, duke mundësuar në të ardhmen integrimin e rrjetit elektrik të rajonit me atë të BE-së. Ministri Bushati është deklaruar pas takimit për qëndrim të njëjte të të dy vendeve ndaj krizës së shtetit të së drejtës në Maqedoni. Jemi të shqetësuar nga përpjekjet e fundit për të reduktuar dhe degraduar stabilitetin demokratik të vendit, ka thënë Bushati duke vazhduar se Shqipëria dhe Bullgaria janë të interesuara për një Maqedoni të paqtë, multietnike, të qëndrueshme e demokratike. Ministri i jashtëm shqiptar ka thënë në këtë kontekst se dy vendet mbështesin plotësisht qasjen e BE-së, SHBA-së e Gjermanisë dhe përpjekjet e tyre për të lehtësuar dialogun e nevojshëm politik, i domosdoshëm për të dalë nga kjo krizë”. Ministri i jashtëm është takuar dhe me Kryetaren e Kuvendit të Bullgarisë.