KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Gjeorgjia përsëri barazim në Tiranë
Shqipëria dhe Gjeorgjia përsëri barazim në Tiranë

Shqipëria dhe Gjeorgjia përsëri barazim në Tiranë

Shqipëria dhe Gjeorgjia janë ndarë në barazim 2-2 në miqësoren e sotme, i treti barazim ky midis 13 ndeshjeve të deritanishme, duke konfirmuar statusin e miqve si macja e zezë e Kombëtares kuqezi. Takimi i zhvilluar në Stadiumin Kombëtar Qemal Stafa në Tiranë që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga rrjeti i Radiotelevizionit Shqiptar, ishte në kuadër të përgatitjeve për Euro 2016. Ai nisi nën tingujt e himnit francez në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të së premtes së shkuar në Paris.

Djemtë e trajnerit Giovanni de Biasi e nisën keq takimin duke pësuar gol brenda dy minutave të para, pasi Gjeorgjia gjen rrugën e rrjetës me anë të Kashias. Ekipi ynë, siç kishte deklaruar De Biasi, kishte emra të rinj. Ai është munduar të reagojë dhe e ka gjetur golin 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë, me anë të Gashit, por u anullua për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë miqtë dyfishojnë rezultatin me anë të Chanturia në minutën e 52-të. Kuqezinjtë nisin gradualisht të reagojë, por vetëm në minutën e 89-të do të arrijë të gjejë golin e parë, me autor Bashën, i cili do të godasë saktësisht brenda zonës. Goli u ka dhënë zemër djemëve tanë, të cilët gjetën edhe barazimin, me anë të Çikalleshit në minutën e 93-të.

Kjo ishte ndeshja e fundit që u luajt në Stadiumin Qemal Stafa, pasi ai është në plan që të prishet në janarin e ardhshëm. Vendin e tij do ta zërë stadiumi i ri, emri i të cilit do të jetë Arena Kombëtare.