KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Kina intensifikojnë marrëdhëniet
Shqipëria dhe Kina intensifikojnë marrëdhëniet

Shqipëria dhe Kina intensifikojnë marrëdhëniet

Shqipëria dhe Kina po intensifikojnë më tej marrëdhëniet midis tyre. Aktualisht në Tiranë gjendet për një vizitë nënkryetarii i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Ji Bingxuan, i ftuar nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Zoti Meta deklaroi pas takimit se “Republika Popullore e Kinës përfaqëson jo vetëm një vend mik, por mbi të gjitha një partner domethënës tregtar për Shqipërinë. Ai tha se kjo vizitë dëshmon qartë për rëndësinë që Republika Popullore e Kinës i jep marrëdhënieve me Shqipërinë. Për zotin Meta marrëdhëniet diplomatike të vendosura 67 vjet më parë mes dy vendeve, duhet të shërbejnë si një bazë e fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha drejtimet.

Nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Ji Bingxuan theksoi se Kina dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë të miqësisë mes tyre. “Kina gëzohet për zhvillimet e Shqipërisë dhe rezultatet që ajo merr çdo ditë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë ardhur duke u zhvilluar, duke patur disa rezultate të suksesshme në bashkëpunimin ekonomik e tregtar”, tha ai. Zoti Ji Bingxuan vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe përkrahjen e madhe që Shqipëria i ka dhënë Kinës për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesa thelbësore të Kinës.

Zoti Meta dhe zoti Bingxuan ranë dakort që përmes forcimit të marrëdhënieve ndërparlamentare të inkurajojnë zgjerimin e dialogut ndërinstitucional në të gjitha nivelet, në atë qeveritar, tregtar, jo-qeveritar, akademik, kulturor e në të gjitha fushat e tjera me interes.