KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria dhe Serbia ngrenë Dhomën e tyre të Tregëtisë
dhoma e tregtise, serbi shqiperi, forumi ekonomik, beograd, rama vucic

Shqipëria dhe Serbia ngrenë Dhomën e tyre të Tregëtisë

Shqipëria dhe Serbia kanë zyrtarizuar krijimin e Dhomës së Tregëtisë mes dy vendeve. Në Forumin Ekonomik të mbajtur në Nish morën pjesë 300 biznese serbe dhe 50 përfaqësues të sipërmarrjes nga Shqipëria, me qëllim promovimin dhe vendosjen e bashkëpunimit mes tyre. Në emër të biznesit shqiptar, Luan Bregasi i shoqatës “Bizes Albania”, ftoi sipërmarrësit serb të investojnë në Shqipëri. Sipas tij, Serbia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin ekonomik në disa dimensione, e për të arritur këtë qëllim do të shërbejë Dhoma e Tregëtisë mes dy vendeve.
Forumi Ekonomik tregoi se kur është kryefjalë ekonomia zbuten të gjitha diferencat e tjera.
Kryeministri serb Aleksandër Vucic u kërkoi sipërmarrësve të investojnë në Shqipëri, duke i vlerësuar shqiptarët si njerëz të besës. “Shqiptarët e mbajnë fjalën! Janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë ndoshta jam subjektiv, por dua tu them se kjo është e mirë për Serbinë ndaj dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet ti kthehemi të ardhmës” tha zoti Vuçiç.
Ndërsa kryeministri Edi Rama shfrytëzoi datën e këtij forumi që për rastësi korrespondon me hedhjen e dronit në stadiumin e Beogradit dy vjet më parë, për ti treguar pjesmarrësve se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë përparuar.
E pranishme në këtë forum, drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore Ellen Goldstein, prezantoi një program rajonal për Lehtësimin e Tregëtisë dhe Transportit. “Objektivi i Projektit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor është që të nxisë integrim ekonomik më të madh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe midis tyre dhe Bashkimit Europian, duke i kushtuar vëmendje zvogëlimit të kostos dhe kohës në tregti dhe transport, duke fuqizuar bashkërendimin dhe kapacitetet institucionale, si dhe duke rritur harmonizimin, transparencën dhe parashikueshmërinë e regjimeve të tregtisë dhe transportit” tha zonja Goldstein.
Ndryshe nga Beogradi, në takimin me përfaqesues të shqiptarëve të Preshevës në Nish kryeminsitri Edi Rama shoqërohej nga ai serb Aleksandër Vuçiç.