KRYEFAQJA » LAJME » SHQIPËRIA DO TE RIATDHESOJE FARËRAT E SAJ AUTOKTONE

SHQIPËRIA DO TE RIATDHESOJE FARËRAT E SAJ AUTOKTONE

Banka Gjenetike e Shqipërisë, e krijuar që në vitin 1998 si kontribut edhe amerikan, ruan 4500 aksesione të bimëve autoktone shqiptare; në bimë arash, perime, fruti-kulturë, hardhi, ulli, bimë medicinale. Ruajtja bëhet në frigorifere në -18 gradë Celcius. Edhe pas 40 vitesh farërat aty mund të mbillen e mbijnë në tokë si të ishin farëra të reja. Për fat të keq mjaft nga bimët tona autoktone, tashmë nuk gjenden më në Shqipëri. Gjermanët kanë qenë të parët që gjatë Luftës së Dytë Botërore morën nga Shqipëria farëra autoktone, që tashmë ruhen në banka gjenetike në Gjermani. Por farërat autoktone shqiptare ruhen edhe në vende të tjera. Sokrat Jani, përgjegjës i sektorit të  frutikulturës ne Bankën Gjenetike Shqiptare, në një intervistë dhënë TVSH thotë se Shqipëria ka vetëm 70 përqind të pasurisë që ka pasur dikur. “Në Bankën Gjenetike më të madhe, ajo Vavillove në Shën Peterburg kemi një pjesë të këtij koleksioni, një pjesë ndodhet në Gatersleben në Bankën Gjermane. Ne mendojmë se do ta rikuperojmë se kemi bashkepunim shumë të mirë me Bankën gjenetike në Gatersleben në Gjermani. Kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Vavillovin, po punojmë me bankën çeke dhe atë polake për të riatdhesuar” thotë zoti Jani.

Jo vetëm në dy dekadat e fundit, por edhe në kohën e ndërmarrjeve e kooperativave bujqësore në kohën e socializmit, disa farëra autoktone zëvendësosheshin me farëra me prodhimtari më të lartë, por me cilësi më të ulët. Tani me rikthimin e disa prej farërave tona të humbura autoktone nga bankat e huaja, a do të shkojnë ato tek fshatari e më pas te konsumatori shqiptar, është pyetja për zotin Sokrat Jani, përgjegjës i sektorit të  frutikulturës ne Bankën Gjenetike Shqiptare. “Kemi restauruar mjaft kultivarë që kishin humbur vlerat sikurse janë domatja e njohur e Sanjollasit, domatja e Shqipërisë së Mesme, speci i Oblikës i Shkodrës, sallata e Bërdicës e shumë e shumë të tjera” përgjigjet ai.