KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria do ti kërkojë Italisë të rishikojë ligjin për “Call Center”.

Shqipëria do ti kërkojë Italisë të rishikojë ligjin për “Call Center”.

Shqipëria do ti kërkojë Italisë të rishikojë ligjin për “Call Center”. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ikonomi bashkë me Ministrin e Punës, Blendi Klosi, mblodhën në një takim përfaqësues të biznesit “Call Center” që operojnë në Shqipëri, për të listuar kërkesat e tyre përkundër autoriteteve italiane, që janë në procedurë të miratimit të një ligji që kufizon kompanitë italiane të operojnë me vende që nuk janë antarë të BE-së. Sipërmarrësit thonë se ky ligj ndikon drejtpërdrejt duke frenuar investimet e huaja në Shqipëri.

Milva Ekonomi u shpreh: “Është që ne të shkruajmë një dokument për të kërkuar që ky ligji të rishikohet mbi bazën e këtyre argumentave që ne po sjellim.”

Blend Klosi, Minister i Punës e Çështjeve Sociale shtoi më tej: “Gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të qënë në krahun tuaj dhe për të vazhduar negociatat me partnerët italianë. Do të vazhdojmë të kërkojmë që rregullat që rregullat që kërkohen, të vendosen nga shteti italian. Për sa i përket këtyre kompanive, të jenë sa më pak ndikuese në aktivitetin tuaj dhe biznesin tuaj.”

Përfaqësuesit e biznesit argumentojnë se Shqipëria, ndonëse nuk është ende pjesë e BE-së, është në proces anëtarësimi, ndaj qeveria italiane të amedojë klauzolën e përjashtimit, para se të kalojë në Senat për miratim. Biznesmenët thonë se Shqipëria është një vend i sigurt dhe garanton ruajtjen e të dhënave personale.

“Që ne të prezantojmë se kush është Shqipërina në këtë moment, kush është pozicioni i Shqipërisë në këto momente, statusi i një vendi kandidat, ai i garancive që ne ofrojmë nga pjesa ligjore. Kemi një marrëveshje direkt të komisionerit tonë, të  mbrojtjes së të dhënave personale me atë të garantit italian:, përfundoi sipërmarrësja Ines Mucostepa.

Në 24 nëntor, Dhoma e Deputetëve në Itali, amendoi ligjin, duke detyruar kompanitë italiane të mos operojnë jashtë vendeve të BE-së me shërbimet “Call Center”. Nga kjo nismë preken 804 kompani në shërbimin “Call center” me rreth 25 mijë të punësuar. Nga kjo lëvizje për shkak të krahut të lirë të punës, përfitueset e mundshme janë Rumania dhe Kroacia.