KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria drejt negociatave me BE

Shqipëria drejt negociatave me BE

Me iniciativë të Italisë dhe Austrisë, dy mbështetëset tradicionale të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare u mblodhën për tryezën informale të Miqve të Shqipërisë, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, si dhe të Përfaqësueses së Lartë Federika Mogerini dhe Komisionerit Johanes Hahn. Siç njofton për TVSH gazetarja Arta Tozaj, megjithëse takimi u zhvillua, siç pritej, pa praninë e medias, mësohet se në të është biseduar për çështje që lidhen me fushat e prioriteteve kyçe, veçanërisht për reformën në drejtësi, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon. “Të gjithëpjesëmarrësit përgëzuan Shqipërinë për rekomandimim”, shprehej Komisioneri Hahn për këtë mbledhje në faqen e tij në tuiter, duke shtuar konfirmimin e Kryeministrit Rama se “rekomandimi është një mandat motivues për të dhënë rezultate më tej, sidomos për zbatimin e Reformës në Drejtësi”.

Paolo Xhentilioni, Ministër i Jashtëm i Italisë tha se “Jemi mjaft të kënaqur me këtë iniciativë, që u promovua nga Italia dhe Austria, Miqtë e Shqipërisë dhe qëllimi është për të pasur këtë dhjetor vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Mendoj se janë kryer shumë reforma kyçe dhe është bërë mjaft përparim dhe ky ishte një konsensus i përbashkët i përfaqësuesve të vendeve anëtare në këtë tryeze. Pra, ky është lajm i mirë për këtë proces dhe mendoj se ne ishim të kënaqur me atë çfarë na tha kryeministri Rama” shtoi zoti Xhentilioni.

Nga ana e tij Sebastian Kurz, Ministër i Jashtëm i Austrisë, tha se “Kjo i vjen në ndihmë fqinjve në rajon, pasi siç e dimë, rajoni ende has vështirësi dhe ne i jemi mirënjohës kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij për punën e bërë deri më tani në Shqipëri, por dhe për rolin e rëndësishëm pozitiv e konstruktiv, që luan Shqipëria në rajon. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për vendet e rajonit, por është më rëndësi për të gjithë ne këtu” nënvizoi zoti Kurz.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se “Dëgjuam gadishmërinë e të gjitha vendeve për ta mbështetur në Këshillin Europian të Dhjetorit rekomandimin e Komisionit për Shqipërinë dhe është nje proces që tanimë është pa kthim. Shqipëria do t’i çeli negociatat. Na duhet një periudhe përgatitore dhe për këtë ne diskutuam, se jo vetëm nga ana jonë, por dhe nga ana e komisionit, duhet një proces vlerësimi, ndërkohë që patjetër na duhet të fillojmë dhe zbatimin e ligjit të vetingut që është dhe premisa e mirëkuptuar, apo kushti i vetëm që ka Shqipëria. Nuk dëgjuam asgjë nga ato që ju propagandohen, kot me kot, ore e çast, njerëzve në Shqipëri nga kazani i broçkullave që ziejnë çdo ditë” tha zoti Rama.

I pyetur se nëse Këshilli merr parasysh rekomandimin këtë dhjetor, kushti mbetet i paplotësuar deri atëherë, duke marrë parasysh edhe kërkesën e opozitës ndaj gjykatës kushtetuese mbi procesin e vetingut, a ka një plan me afate kohore të qarta, zoti Rama u përgjigj: “Nuk është çeshtje dhjetori, është çështje fillim zbatimi i ligjit, pasi është shumë e qartë që jo vetëm vetingu, po e gjithë paketa e Reformës në Drejtësi është vetë procesi i negociatave dhe ajo që u tha edhe këtu është se ne kemi bërë një reformë kaq rrënjësore dhe kaq shumë të duartrokitur botërisht saqë parapërfytyroni që vendet që po negociojnë ndërkohë, Mali i Zi apo Serbia, në kapitujt e drejtësisë (23/24) duhet të bejnë disa gjëra që ne i kemi bërë ndërkohë, nga pikëpamja e legjislacionit. Sigurisht që implementimi është një proces disa-vjeçar e jo bëje sot, të marrësh diçka nesër” tha ai.

I pyetur se pas kësaj tryeze me vendet anëtare, kur pritet që të nisin realisht negociatat e anëtarësimit, zoti Rama tha: “Unë jam i bindur që negociatat kanë nisur. Në kuptimin që Këshilli do të përfshijë (në Dhjetor) rekomandimin pozitiv të Komisionit, do ta adoptojë e do të nisin përgatitjet dhe në momentin kur përgatitjet do të kenë përfunduar nga ana jonë dhe nga ana e komisionit, sepse ka një proçes, siç ka bërë dhe me vendet para nesh, atëherë do të hapen kapitujt e negociatave. Pra është një proces shumë i pakthyeshëm dhe që ka filluar”.
Me 18 Tetor, Miqtë e Shqipërisë nisen zyrtarisht veprimtarinë në Parlamentin Europian me synimin e krijimit të urave të reja mes Brukselit dhe Tiranës për të forcuar marrëdhëniet mes njerezve dhe biznesit, e duke krijuar formate për të diskutuar zhvillime me interes të përbashkët. (Materiali u përgatit nga Arta Tozaj)