KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria drejt Samitit të Parisit
Shqipëria drejt Samitit të Parisit

Shqipëria drejt Samitit të Parisit

Tre investime infrastrukturore të rëndësishme rajonale pritet të miratohen në 4 korrik gjatë Samitit të Parisit. Ndërsa raportoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në lidhje me përgatitjet, ministri i jashtëm Ditmir Bushati, veç të tjerave renditi pritshmëritë që nga infrastruktura e deri tek mbështetja e studimit të vizibilitetit për gazjellesin TAP. Ai tha se për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekurudhor Tiranë-Rinas pritet një vlerë investimi prej 81 milionë euro.
Ndërkaq nisur nga rrethanat e reja të krijuara në BE pas vendimit të Britanisë për të dalë nga ky organizëm, kryetarja e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu mendon se aktualisht ka vetëm një formulë të sigurt për integrimin e Shqipërisë. “Sidomos për të përcaktuar qartë një axhendë ambicioze dhe të ruajë atë tërheqjen që vendet tona, sidomos publiku, ka ndaj projektit të Bashkimit me Europën” tha zonja Bregu.
Samiti i Parisit vjen në vazhdën e dy samiteve të tjerë të mbajtur në Berlin e Vjenë, dhe për qeverinë shqiptare shihet si mundësi e afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Europian. Megjithatë ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati pranoi se “Në tryezën e bisedimeve të BE-së, më shumë fokusi do të jetë tek termat e divorcit me Mbretërinë e Bashkuar sesa termat e një martese të re me vendet e Ballkanit Perëndimor”.