KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria harton ligj për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë
Qeveria Rama miraton projekt-ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve

Shqipëria harton ligj për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë

Shqipëria ka vendosur të regjistrojë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, apo siç njihen ndryshe me emrin emigrantë. Sipas të dhënave zyrtare në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri numërohen mbi 4.4 milionë banorë të regjistruar. Mendohet që rreth 30 pverqind e tyre jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve shtetërorë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektligjit të regjistrimit të emigrantëve, tha se bëhet fjalë, fatkeqësisht, për një proces historik: “Është një proces fatkeqësisht historik, pasi jemi i vetmi vend i Evropës pa sistem adresash. Kjo është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, që nuk di ku ka njerëzit e vet dhe t’ju mundësojë shërbimet që meritojnë” tha zoti Rama.”Emigrantët e dinë se çfarë kanë hequr për të marrë një certifikatë”, shtoi ai.

Sipas ministrit të mbrendshëm Saimir Tahiri “ka ardhur koha për një kontratë të re patriotike me emigrantët”. “Shteti ka detyrë të garantojë shërbime për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë në shtëpinë e tyre. Mendojmë që borxhi që u kemi emigrantëve në mbi dy dekada, është t’u shërbejmë emigrantëve në shtëpinë e tyre. Të bëjmë regjistrimin e tyre dhe mbrapsht t’u japim shërbimet në shtëpinë që banojnë, kudo qoftë kjo. Për këtë Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj dhe nga janari nisim regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë. Ky është detyrimi ynë patriotik për çdo shqiptar. Është një sipërmarrje që kthen pas borxhin që u kemi emigrantëve” tha zoti Tahiri.

Emigracioni ka qenë gjithnjë i pranishëm në jetën e shqiptarëve. Vitet e para të shekullit të kaluar ai ishte emigracion ekonomik, ndërsa pas viteve ’28 me shpalljen e mbretërisë një kontingjent të veçantë përbënte emigracioni politik, i larguar nga Shqipëria si rezultat i qëndrimit dhe veprimtarisë kundërshtuese ndaj regjimit të Zogut. Ndërsa pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u u rrit numri i emigrantëve politikë që kundërshtonin regjimin diktatorial komunist. Në harkun kohor 1945 – 1990, u shënua një shuarje thuajse e plotë e dukurive emigruese, për shkak të izolimit ku e futi vendin diktatura komuniste.

Emigracioni u rishfaq në Shqipëri pas ndryshimeve demokratike të 1990-tës. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit nga vendi u largua në emigracion rreth 25 për qind e popullsisë totale, ose rreth 35 për qind e popullsisë aktive. Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë.