KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria, humbje dëshpëruese nga Izraeli
Shqipëria, humbje dëshpëruese nga Izraeli

Shqipëria, humbje dëshpëruese nga Izraeli

Shqipëria ka pësuar të shtunën një humbje dëshpëruese nga Izraeli në “Elbasan Arena” në takimin kualifikues për grupin G të Botërorit Rusia 2018. Veç rezultatit 3-0, Shqipëria u ndëshkua rëndë nga arbitri turko gjerman Deniz Aytekin, i cili nxorri dy here kartonin e kuq për Gjimshitin dhe portierin Berisha, duke e lënë ekipin shqiptar në pjesën më të madhe të kohës me 10 dhe 9 lojtarë.
Izraelitët kanë kaluar në avantazh me një penallti të shënuar nga Zahavi në minutën e 17-të, pasi më parë arbitri largoi me të kuq Gjimshitin për një ndërhyrje të dyshimtë. Në minutën e 57-të arbritri nxorri me të kuqe portierin Berisha i cili u konfliktua fizikisht me një sulmues izraelit, ndërsa akordoi edhe një penallti. Por portieri i sapo futur Hoxha arriti ta priste penalltinë, duke rritur entuziazmin e kuqezinjve dhe tifozëve të pakët, por mjaft të zjarrtë. Pas 10 minutave Hoxha kapitulloi pasi Einbinder ktheun në gol një grushtim të tij. Ekipi shqiptar vazhdoi të luajë mjaft i nervozuar dhe plot gabime. Ndërsa izraelitët të qetë dhe racionalë, arritën të shënojnë golin e 3-të me anë të Atar në minutën e 83-të.  Minutat deri në përfundim ishin plot ankth për kuqezinjtë, por në fund ata sërish dolën kokëulur. Pa dyshim një ndër më të dëshpëruarit e këtij takimi, duhet të jetë traineri De Biazi, i cili kish deklaruar se nuk do të ishte kënaqur me barazim, por vetëm fitore.
Takimi Shqipëri – Izrael, do të mbahet mend edhe për diçka tjetër. I parashikuar për t’u mbajtur në “Loro Boriçi” në Shkodër, ai u transferua me urgjencë në “Elbasan Arena” pas njoftimeve për rrezikun e akteve terroriste gjatë takimit. Ai u zhvillua nën masa tepër të larta sigurie. Sipas disa komenteve këto masa kanë ndikuar që prania e tifozëve në stadium të jetë e ulët, rreth 5000 persona, ndërsa rrjeti i policëve që ruanin mbarëvajtjen e takimit ishte rreth 2000 efektivë.