KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria ka hedhur hapa të guximshëm kundër trafikimit të qënieve njerëzore
Shqipëria ka hedhur hapa të guximshëm kundër trafikimit të qënieve njerëzore

Shqipëria ka hedhur hapa të guximshëm kundër trafikimit të qënieve njerëzore

Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë kanë vlerësuar si të guximshme hapat e hedhur nga Shqipëria në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, por kanë kërkuar intensifikimin e mëtejshëm të saj. Gjatë një konference që u organizua të premten në Tiranë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në kuadër të muajit antitrafik, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu tha se rënia e komunizmit i ofroi shumë mundësi të reja Shqipërisë, por tranzicioni lejoi që shumë organizata kriminale të bënin që të binin pre e tyre gra dhe vajza. “Që prej vitit 2014, qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të guximshëm për dënimin e trafikuesve. Shpresoj që ne të gjithë ta intensifikojmë luftën ndaj trafikimit të personave” tha ai.
Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin duke hyrë në detaje tha se pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit janë gra dhe fëmijë. “Familjet vuajnë gjithmonë nga traumat, por duhet t’u tregojmë vajzave dhe fëmijëve se nuk janë vetëm” tha zonja Vlahutin, ndërsa u kërkoi autoriteteve shqiptare të forcojnë partneritetin me ndërkombëtarët në këtë fushë. Ajo ndërkohë bëri të ditur se BE “Po financon disa projekte që po zbatohen dhe ofrojnë ekspertizë teknike dhe ligjore për hetimet për trafikimet”.
Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Uilton tha se “Shqipëria ka tashmë legjislacion dhe politika të mira për anti-trafikimin, të mbështetura nga struktura shtetërore të konsoliduara dhe organizatat e shoqërisë civile. Por, zbatimi mbetet thelbësor, sidomos për identifikimin e të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore, për ndëshkimin e trafikantëve dhe, më e rëndësishmja, për mbrojtjen e viktimave të trafikimit”. Zoti Uilton u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të ndërhyjë energjikisht për të zbutur varfërinë në vend që konsiderohet shkaku kryesor trafikimit dhe shfrytëzimit.