KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, program të përbashkët për arsimin dhe shkencën
Shqipëria, Kosova dhe Mqedonia, program të përbashkët për arsimin dhe shkencën

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, program të përbashkët për arsimin dhe shkencën

Në Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Abdilaqim Ademi, Lindita Nikolla dhe Arsim Bajrami, kanë firmosur Programin e Përbashkët Ekzekutiv. Ky program parashikohej nga marrëveshja në sferën e arsimit dhe shkencës që u arrit mes tre vendeve pesë muaj më parë në Vlorë.
Sipas ministres shqiptare Lindita Nikolla, ky program do të mundësojë jetësimin e projekteve dhe propozimeve të përbashkëta në shumë fusha, do të ndikojë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës, si edhe në arritjen e standardeve evropiane të dijes. “Është një plan ekzekutiv që mundëson një komunikim të ri, por jo vetëm në rezultate të përbashkëta të veprimit, që lidhen me programe të përbashkëta studimore në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe në Maqedoni, me shkëmbime studentësh nga Shqipëria dhe Maqedonia si dhe mobilitet të pedagogëve të institucioneve të arsimit të lartë, mundësi të reja për realizimin e kuadrit për anëtarësimin e dy vendeve tona në programin “Horizont 2020” të BE-së”, tha zonja Nikolla me këtë rast. Firmosja e kësaj marrëveshje në përvjetorin e 107 të Kongresit të Manastirit u vlerësua si moment i veçantë për të gjithë shqiptarët. Ai është përkujtuar me aktivitete të shumta në Manastir dhe në disa qytete tjera. Për këtë përvjetor kanë uruar edhe drejtues të politikës shqiptare në Maqedoni.
Por takimi mes ministrave të arsimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ishte një rast tjetër për të shprehur shqetësimin për problemet me të cilat ballafaqohen. Një prej tyre ishte gjendja e rëndë godinën e Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Fasada e kësaj ndërtese me vlera të larta për kombin shqiptar, është  në disa pjesë është rrënuar, ndërsa oborri është i mbushur me mbeturina.  Ministria e Kulturës në Shqipëri, bëri të ditur se ka hartuar një projekt për restaurimin e muzeut. “Ai është  bazuar mbi kritere shkencore duke ruajtur autenticitetin e vet objektit dhe njëkohësisht duke i dhënë edhe vlerat që meriton ky objekt” bëri të ditur Zef Cuni, zëvendësministri shqiptar i kulturës.