KRYEFAQJA » LAJME » SHQIPËRIA, ME 2 SPORTISTË NË EVROPIANIN E ATLETIKËS
europiani atletikes, hollande 2016, delegacioni shqiptar

SHQIPËRIA, ME 2 SPORTISTË NË EVROPIANIN E ATLETIKËS

Atletika shqiptare do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të të rriturve, që nis sot në Amsterdam e përfundon të dielën. Delegacioni shqiptar ka mbërritur dje në kryeqytetin holandez, ndërsa në krye është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, i cili është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ruli do të marrë pjesë edhe në Kongresin e Federatës Evropiane të Atletikës, i cili i zhvillon punimet e tij gjatë ditëve të Kampionatit Evropian në Amsterdam. Për këtë evropian, atletika shqiptare ka zgjedhur ajkën e saj për të marrë pjesë dy rekordmenë. E para është e njohur në arenën ndërkombëtare, sepse jo vetëm që është rekordmene kombëtare në 800 metra, 1,500 metra, dhe 5,000 metra, por gjatë vitit ka thyer dhe rekordin në 3,000 metra me dhe pa pengesa. Pra bët fjalë për Luiza Gegën, ndërsa, përveç saj do të jetë dhe Izmir Smajlaj, rekordmen kombëtar në kërcim së gjati me 8.03 metra dhe në kërcim trehapësh me 16.30 metra. Të dy shoqërohen nga trajnerët Taulant Stërmasi dhe Vildan Tufi, ndërsa pjesë e delegacionit kuqezi në Amsterdam është dhe drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj.