KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria përfshihet nga moti i keq
Shqipëria përfshihet nga moti i keq

Shqipëria përfshihet nga moti i keq

Gjatë 24 orëve të fundit Shqipëria është përfshirë nga një mot me vranësira të dendura dhe reshje shiu. Reshjet më intensive kanë qenë në qarkun e Vlorës, Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Shkodrës dhe në disa zona malore ka patur reshje dëbore si në qarkun e Kukësit, Elbasanit dhe Korçës.

Në të gjithë Qarkun e Kukësit në lartësitë mbi 700 m dëbora arrin deri në 10 cm, kurse në Njësinë Administrative Stëblevë, bashkia Librazhd, dëbora arrin në trashësinë deri në 5 cm, por pa krijuar probleme. Akset kombëtare dhe rurale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Qarkun e Vlorës gjatë 24 orëve të kaluara ka patur moti ka qenë me reshje shiu me intesitet të ulët, të cilat pas mesnatës u bënë intensive duke krijuar prezencë uji në rrugët e qytetit. Në zonën e Shkollës së Marinës për shkak të punimeve në segmentet rrugore të brendshme pati probleme me prezencë të shtuar të ujit në oborret e dy banesave. Forcat zjarrfikëse ndërhynë duke larguar ujin nga oborret.
Në Qarkun e Durrësit rreshjet kanë shkaktuar rritjen e prezencës së ujërave në disa zona të qytetit, si në Shkozet dhe në lagjen e Kënetës, por pa shkaktuar dëme.

Në Qarkun e Tiranës ka patur reshje intensive shiu. Në qytetin e Tiranës pati prezencë të ujrave sipërfaqësore në rrugën “Don Bosko”, “Medar Shtylla”, pranë shkollës profesionale Teknologjike, në disa zona në Kombinat, por ujërat kanë qenë të përkohëshme dhe me ndërprerjen e reshjeve situata u normalizua.
Në qarqet e tjera të vendit ka patur reshje normale dhe nuk raportohet për situata emergjente të krijuara prej kushteve të motit.