KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria përfshihet nga rreshje të furishme shiu
Shqipëria përfshihet nga rreshje të furishme shiu

Shqipëria përfshihet nga rreshje të furishme shiu

Shqipëria është përfshirë orët e fundit nga rreshje shiu me intensitet mjaftë të lartë. Në kryeqytet qarkullimi i këmbësorëve dhe i makinave është vënë në vështirësi si rrallë herë. Në disa rrugë prania e ujit ka bllokuar kalimin e këmbësorëve. Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë zbritur në terren dhe po përpiqen të përballojnë situatën. Kryetari i bashkisë Erion Velia ju bëri apel qytetarëve që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.
Situatë e vështirë raportohet edhe në qytetin bregdetar të Vlorës. Rruga Transballkanike dhe bulevardi i qytetit janë në ujë dhe të pakalueshme për qytetarët dhe mjetet e vogla. Bizneset e kateve të para në këto zona pothuajse janë përmbytur. Hidrovori është në punë me kapacitet të plot, por situata është mjaftë e rënduar. Në disa zona të qytetit ka ndërprerje të energjisë.
Ndërprerje të energjisë ka edhe në zonën e Kavajës pasi sipas OST ka patur një dëmtim në linjën 110 kv. Edhe njoftimet nga Lezha e përshkruajnë situatën si problematike. Në Lagjen “Beslidhja” disa banesa dhe biznese janë përmbytur.

Së fundi Ministria Bujqesise njofton se deri tani nuk jenë raportuar përmbytje në toka bujqësore.
 
Në hidrovoret e Tërbufit në Lushnjë dhe Darzezë në Fier ka patur ndërprerje të energjisë elektrike gjatë mëngjesit, por grupe të punës nga OSHEE po punojnë për të normalizuar situatën.