KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria përgatitet për azilkërkuesit nga Afrika e Veriut
Shqipëria përgatitet për azilkërkuesit nga Afrika e Veriut

Shqipëria përgatitet për azilkërkuesit nga Afrika e Veriut

Shqipëria është e përgatitur të kthehet në një koridor të mundshëm për azilkërkuesit nga Afrika e Veriut, në një valë të pritshme të tyre drejt Europës. Deklarata është bërë nga numri dy i diplomacisë shqiptare Selim Belortaja në komisionin e jashtëm të parlamentit shqiptar. Sipas tij një dokument strategjik është tashmë i përfunduar në bashkëpunim nga  Ministria e Jashtme,  ajo e Brendshme, dhe e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Në dokumentin në fjalë janë parashikuar vendet e strehimit, janë parashikuar kostot, masat në kufi dhe të gjitha detajet e tjera. Dokumenti është përpunuar në bashkëpunim me homolog të huaj dhe prefektët e qarqeve” tha ai.
Lidhur me azilkërkuesit nga Shqipëria drejt Europës zoti Belortaja rradhiti disa arsye. “Së pari janë problemet ekonomike. Së dyti, lëvizja e lirë, që nxit shumë shqiptarë të marrin udhën, duke parë që nuk ka barriera të shumta për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian. Së treti dëshira për të ndryshuar nivelin e jetesës menjëherë, pasi shumë nga personat që kanë marrë udhën janë “gënjyer” apo kanë marrë një informacion të shtrembëruar lidhur me atë ç’ka i pret atje. Të gjithë e dimë dhe e pranojmë se ka një nivel jetese më të mirë se këtu, por kjo nuk do të thotë se ky nivel përfitohet nga azilkërkuesit” tha zëvendësministri i jashtëm Selim Belortaja. Ai përsëriti se qeveria shqiptare u ka kërkuar vendeve të Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha Gjermanisë të përcaktojnë Shqipërinë si vend të sigurtë, përveç fushatës në popullsi për punësim të ligjshëm në Gjermani.