KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria përkujton anëtarësimin në NATO

Shqipëria përkujton anëtarësimin në NATO

Në Tiranë autoritetet kremtuan të hënën 7-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që nga shpallja e pavarësisë pak më shumë se një shekull më parë. Një nga kundërshtaret më të zjarrta të NATO-s në kohën e regjimit komunist, sot Shqipëria është krenare që bën pjesë në aleancën më të fuqshme ushtarake në planet. “Unë kam qenë mjaft i vogël, por më kujtohet qartë se si parakalonin Forcat e Armatosura shqiptare në këtë shesh për t’i treguar NATO-s, që nuk duhej ngatërruar me ne, pasi Shqipëria ishte një mburojë e pastër anti-NATO” tha Erion Veliaj kreu i Bashkisë së Tiranës.
“Kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, shumë kush në vendin tonë u ndje krenar, teksa jashtë territorit tonë pati skepticizëm, pasi vlerësonin se si ka mundësi një vend kaq i vogël arrin të jetë pjesë e një aleance kaq të madhe, por ne treguan se kemi mbështetur këtë aleancë me të gjitha kapacitetet tona ” tha nga ana e tij ministri i jashtëm Ditmir Bushati.
Ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli kujtoi se në kuadër të NATO-s “…ushtarët shqiptarë japin kontributin e tyre në Afganistan e Irak. Tashmë, misionet paqeruajtëse janë kthyer në traditë të trupave ushtarake shqiptare. Jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force të armatosur” tha zonja Kodheli.
Organizatorët e këtij përkujtimi, e kanë konceptuar si një aktivitet të hapur edhe për qytetarët. Ata kanë parë nga afër mjetet dhe pajisjet më të reja të Forcave të Armatosura Shqiptare. Autoritetet bënë të ditur ndërkaq se kanë vendosur hapjen e një muzeu në tunelet nëntokësore ndërtuar në kohën e regjimit komunist, muze që do të ketë hyrjen tek bunkeri i ngritur në krah të Ministrisë së Brendshme. Ai do të kujtojë se Shqipëria kaloi nga një vend anti-NATO, në një vend anëtarë të NATO-s dhe dëshirën e plotë për integrimin e plotë në Bashkimin Europian, tha me këtë rast kreu i Bashkisë Erion Velia.