KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria përkujton e ndarë 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut
Shqipëria përkujton e ndarë 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut

Shqipëria përkujton e ndarë 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut

Shqipëria përkujton 5 majin Ditën e Dëshmorëve të Atdheut të rënë në vitet e Luftës Nacional Çlirimtare. Homazhe të shumta janë zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme të vendit. Edhe këtë vit si dhe më parë, politika shqiptare për shkak të prejardhjes e ka përkujtuar e ndarë. Partitë e majta në pushtet, pasardhës në shumicë të forcave partizane, kanë zhvilluar homazhe dhe kanë lëshuar deklarata duke glorifikuar LANÇ, si një nga periudhat më të lavdishme në historinë e vendit. Ndërsa të djathtët, në gjirin e të cilëve janë edhe partitë tradicionale nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”, janë shprehur me respekt para dëshmorëve të kombit dhe luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi që shqiptarët kanë zhvilluar në shekuj.
Deklaratat e tyre madje kanë pasqyruar edhe konfliktin e ashpër politik të ditëve të sotme. Kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh për nevojën e reflektimit. “PD-ja, para gjakut të dëshmorëve të kombit, ka vendosmërinë për të vazhduar betejën e njerëzve të lirë dhe Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni” tha zoti Basha gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ndërsa kreu i LSI dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta është fokusuar tek nevoja e miratimit të Reformës në Drejtësi, duke bërë thirrje që në të të përfshihen sa më shumë aktorë.
Si zakonisht në ditë të tilla kanë qenë të pranishëm në përkujtime edhe nostalgjikë të regjimit komunist dhe ish diktatorit Enver Hoxha.
5 maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut, prej vitesh rikthen debatin e numrit të dëshmorëve të rënë në vitet e LANÇ. Zyrtarisht propaganda komuniste në vite ka përdorur shifrën e 28 mijë dëshmorëve, duke e rradhitur Shqipërinë ndër vendet më të dëmtuara nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahasuar me numrin e popullsisë dhe sipërfaqen e saj. Në fakt disa dokumenta të dala në dritë pas viteve ’90, që i referohen qeverisë kuislinge në qershor të vitit 1944, shënojnë se bëhet fjalë për 28 mijë qytetarë shqiptarë që kanë humbur jetën gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë debati vazhdon.