KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria propozon Unioni Rajonal Ekonomik në Ballkan
Shqipëria propozon Unioni Rajonal Ekonomik në Ballkan

Shqipëria propozon Unioni Rajonal Ekonomik në Ballkan

Pak ditë pas Samiti të Vjenës, kryeministri shqiptar Edi Rama, hodhi më shumë dritë rreth propozimeve të Shqipërisë, të cilat ai tha se synonin një shtysë përpara në procesin e nisur në Berlin. Tirana zyrtare ka propozuar ndërtimin e një Unioni Rajonal Ekonomik si dhe ngritjen e një banke rajonale.
“Janë pritur me interes të posaçëm dhe janë mbështetur fortë dy idetë tona, ajo për unionin ekonomik mes vendeve të rajonit, që do të thotë unifikimin e të gjitha procedurave për të pasur një lëvizje shumë më të lirëshme jo vetëm të njerëzve por dhe të mallrave në gjithë rajonin. Nga ana tjetër, ka marrë mbështetje edhe ideja për të filluar puna, në bashkëpunim me BERZH, për ngritjen e një banke rajonale për rindërtim dhe zhvillim” tha kryeministri shqiptar.
Momente të rëndësishme në Samitin e Vjenës sipas zotit Rama kanë qenë edhe vlerësimet për projektet e perbashkëta në infrastrukturën rrugore dhe atë energjitike. “Korridori i Kaltër, thënë ndryshe Autostrada Adriatiko-Joniane që do të lidhë unazën e Mesdheut, është vendosur si projekt prioritar, për të cilin fillon studimi i fizibilitetit dhe hartimi i projektit dhe pastaj financimi. Po ashtu kemi mbështetur projektin tjetër, që Serbia e ka pagëzuar me emrin Rruga e Paqes, për të sistemuar rrugën që ndërlidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës. Për ne ka qenë një tjetër inkurajim i madh marrja e financimit për interkonjeksionin me Maqedoninë, që bashkë me atë për Kosovën do të forcojë kapacitetet e Shqipërisë për të pasur një rol të rëndësishëm në tregun e përbashkët energjitik” tha kryeministri Rama.