KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria synon Euro 2016, Serbia nderin e humbur
Shqipëria synon Euro 2016, Serbia nderin e humbur

Shqipëria synon Euro 2016, Serbia nderin e humbur

Policia shqiptare ka nisur hetimet pasi autobuzi me të cilin udhëtonte kombëtarja serbe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Hotelin “Sheraton” në Tiranë është goditur me një mjet të fortë. Ekipi serb mërriti të mërkurën pas dite në Shqipëri në ballafaqimin historik me përfaqësuesen shqiptare të enjten në “Elbasan Arena” në ndeshjen e vlefshme për Euro 2016. “Në momentin e mbërritjes përpara hotelit është vëne re se nga krahu i drejtuesit të autobusit kishte një plasaritje, e cila dyshohet se mund të jetë gjuajtur në një distancë të largët me gure” bënë të ditur burime të policisë shqiptare.
Lajmi fillimisht gjeneroi nga mediat serbe që po ndjekin ekipin e tyre përfaqësues. Ndërsa në konferencën për shtyp përfaqësuesi i Federates Serbe të Futbollit tha: “Dua të tregoj për një incident të vogël, diku në mes të rrugës ndodhi një incident i vogël, duke qëlluar me gurë autobusin, por nuk pati ndonjë problem. Më pas reaguan autoritetet shqiptare dhe gjithçka është në rregull” tha ai.
Ndërkaq dy ekipet kanë deklaruar synimet e tyre për fitore. “Kjo ndeshje i kalon suazat e sportit, por ne duam ta fitojmë këtë ndeshje” tha kapiteni serb Branislav Ivanoviç në konferencën për shtyp me të mbërritur në Hotelin “Sheraton”. Ndërsa trajneri i Serbisë, Radovan Çurçiç tha se “Shqipëria është skuadër e fortë, por do mundohemi të mos mendojmë për asgjë tjetër në fushë, por vetëm për lojën”.
Gati me të njëjtin arsyetim u shpreh traineri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi. “Për mua personalisht kjo ndeshje nuk ka më shumë tension se ndeshjet që kemi luajtur më parë. Objektivi ynë është fitorja, nuk futemi asnjëherë në fushë me idenë për të barazuar. Kjo është ndeshje kryesore dhe duhet interpretuar në mënyrën e duhur duke u treguar të zgjuar” tha ai. Por zoti De Biazi kishte dhe një mesazh për tifozerinë shqiptare: “Duhet të tregojmë se përvec futbollit në dimë mjaft mirë të respektojmë kundërshtarin. I bëj thirrje tifozëve që të hedhin pas krahëve të shkuarën dhe të mbështesin kombëtaren e tyre” tha ai. Me të njëjtën frymë u shpreh dhe kapiteni Lorik Canaj. “Është një popull i mrekullueshëm, i cili ne e përfaqësojmë me një krenari të jashtëzakonshme, sepse mund të japim shumë jo vetëm për popullin tonë, por për të gjithë kontinentin” tha Canaj.
Ndërkaq atmosfera sportive 24 orë para takimit ka filluar të ndizet. Kjo është më e pranishme në Elbasan. Atje kanë filluar të mbërrijnë dhe të festojnë tifozë nga Kosova të cilët kanë arsye më shumë se sportive të kërkojnë një fitore të kuq e zinjve.
Në planin sportiv, takimi i së enjtes nuk ka vlera të njëjta për Shqipërinë dhe Serbinë. Nëse për Shqipërinë fitorja do të përkthehej një biletë për në Euro 2016 në Francë, për Serbinë do të ishte thjesht një çështje nderi pas ngjarjeve vitin e kaluar në Beograd, ku ajo ka dalë e humbur 3-0 pas një procesi gjyqësor.