KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria synon hartimin e “Planit të Përgjithshëm Kombëtar”
Shqipëria synon hartimin e "Planit të Përgjithshëm Kombëtar"

Shqipëria synon hartimin e “Planit të Përgjithshëm Kombëtar”

Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama e ka hedhur vështrimin larg. Ajo ka vendosur hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, që hedh piketat e zhvillimit të Shqipërisë deri në vitin 2030. Vetë zoti Rama e ka vlerësuar maksimalisht draftin që sipas tij është i avancuar. “Kemi përcaktuar në programin tonë qeverisës objektivin e hartimit të një plani të përgjithshëm kombëtar, që e di mirë se çfarë sfide e jashtëzakonshme është, e që nuk e parashikoja se do të ishim në një fazë kaq të avancuara në dy vite e pak, për të prezantuar një draft të avancuar të këtij plani” tha zoti Rama gjatë një dëgjese publike. Sipas tij “Në këto 20 e kusur vite janë harxhuar parà të shumta, por po të shohim çfarë është shkruar dhe çfarë është realizuar, nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën”. Kryeministri shqiptar ju referua vecanërisht furnizimit me ujë, që vazhdon të jetë problem. “Kemi pasur 72 strategji kombëtare për ujin, por Shqipëria edhe sot nuk ka burime ujore të mirëadministruara. Nëse e krahasojmë me Izraelin, që s’ka burime, ndërkohë që Shqipëria është e dyta në Europë për pasuri ujore, nxjerr edhe njëherë kuptimin e plotë të paaftësisë dhe paditurisë kolektive të shfrytëzimit të asaj që na ka ofruar natyra”, tha ai. Kryeministri Rama tha se plan i ri kombëtar nuk do të jetë i ngrirë. “Qasja ndaj kësaj sfide me një filozofi të re bashkëkohore, duke e trajtuar territorin si një organizëm, dhe planifikimin si një proces metabolizmi të organizimit, jep një mundësi që ky plan të rimerret dhe të pasurohet në vijim nga të gjithë ata që do ta përdorin, qofshin institucione qendrore, vendore apo sipërmarrje. Progresi i rëndësishëm në territor është i mundur nëse lejojmë që çdo detaj të modifikohet edhe në të ardhmen” spjegoi ai. Zoti Rama shprehu bindjen se  Shqipëria do të ketë një plan të përgjithshëm kombëtar, që të jetë një instrument në dorën e kujtdo që ka lidhje dhe mundësi të japë kontribut në procesin e zhvillimit të vendit.