KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria synon ndërtimin e një autodromi

Shqipëria synon ndërtimin e një autodromi

Shqipëria synon të ketë një autodrom ku do të zhvillohen gara me motorë dhe makina. Një ide e tillë është diskutuar të hënën në tryezën e bashkëbisedimit midis drejtuesve të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Valter Shaka, drejtorit ekzekutiv të Motorsport Professional Advice. Për Televizionin Shqiptar italiani Shaka spjegon se si i ka lindur ideja. “Sapo hyra në rrugët e Tiranës, pashë një lëvizje të madhe makinash, madje makina të shtrenja, sportive dhe më lindi ideja. Pse të mos ketë një autodrom në Shqipëri? Një pistë ku mund të zhvillohen gara me motorë dhe makina, teste provash të Moto GP dhe Formula 1?” Ai tha se ka bisdeuar me presidentin e KOKSH, Viron Bezhani dhe sekretarin Stavri Bello. “Ata janë shumë dakort për realizimin e këtij projekti. Do të bëjmë edhe disa takime të tjera këtu në Tiranë për të parë se si do të shkojnë gjërat. Sllovenia dhe Kroacia e kanë nga një autodrom, përse mos ta ketë edhe Shqipëria një të tillë?” tha Valter Shaka, drejtorit ekzekutiv të Motorsport Professional Advice.
Një nga çëshjtjet preokupuese është se sa kushton realizimi i këtij projekti dhe sa mund të jetë kohëzgjatja e ndërtimit të një autodromi. “Një autodrom i thjeshtë, 3-4 km mund të shkojë deri në 20-25 milion euro” thotë Shaka për TVSH. Sipas tij çdo gjë varet nga lloji i autodromit që synohet të ndërtohet. “Anglia dhe India po bëjnë nga një autodrom që i kalon shifrat e 300 milionë eurove. Por këto janë projekte vetëm për imazh” tha drejtori i Motorsport Professional Advice. “Nëse realizohet ky projekt, bashkia dhe vetë qyteti do të kenë përfitime të mëdha. Përveç pistës do të ndërtohet një kompleks i madh me qendra të mëdha biznesi, hotele, nga të cilat do të vijnë edhe të ardhurat. Italia, Anglia, Spanja e shtete të tjera të fuqishme kanë mesatarisht nga 20 autodromë dhe ia kanë shijuar përfitimet. Nëse realizimi i projektit fillon tani në Shqipëri, deri në fund të 2018 mund të mbarojë” thotë drejtori i Motorsport Professional Advice. Valter Shaka ka qenë realizues në projekte të tilla në mbi 20 shtete. Në takimin me drejtuesit e KOKSH ai premtoi se ndihma e Komitetit olimpik Italian nuk do të mungojë në realizimin e këtij projekti.