KRYEFAQJA » LAJME » Shqiptarët kremtojnë Pashkët
Shqiptarët kremtojnë Pashkët

Shqiptarët kremtojnë Pashkët

Besimtarët ortodoksë shqiptarë ju bashkuan besimtarëve ortodoksë të mbarë botës, për të festuar Pashkët. Një natë më parë ata kremtuan nëpër kisha ngjalljen e Jezu Krishtit. Në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, u uroi besimtarëve të shumtë festën në gjuhën shqipe. Si zakonisht në të tilla raste, ai u kërkoi atyre që të lënë pas mëkatin e përmes besimit të ndihmojnë veten dhe të tjerët për një jetë sa më të mirë. Me qirinj në duar, drita e të cilëve sipas besimit ortodoks simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, besimtarët ndoqën meshën e shenjtë. Mesha të ngjashme u mbajtën edhe në kisha të tjera ortodokse në mbarë vendin. Festimet e pashkëve kanë vazhduar edhe gjatë ditës së dielë. Shqipëria është një vend ku tre besimet kryesore fetare, myslymanë, ortodoksë dhe katolikë jetojnë në harmoni. Besimtarët, pavarësisht se kujt besimi i përkasin, ju bashkohen të gjitha festave në ditët e shënuara fetare për të gjitha besimet. Pavarësisht se është një vend laik, ku shteti është i ndarë nga feja, Shqipëria i ka shënuar ditët e këtyre festave si ditë pushimi për të gjithë qytetarët e saj.