KRYEFAQJA » LAJME » Shrëder: Drejtësia, kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
gerhard schroder, COD, Tirane, edi rama, drejtesi, shqiperia ne be

Shrëder: Drejtësia, kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

“Drejtësia është kusht themelor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Kjo ka qenë deklarata themelore që ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder ka bërë sot në Tiranë në qendrën multikulturore COD i ftuar në konferecën “Mbi sfidat ekonomike të emigracionit dhe të integrimit brenda projektit europian”.  “Reforma në drejtësi është kusht themelor për nisjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Do të ishte bukur nëse do të niste shpejt, por për këtë duhen bërë edhe hapa kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” tha zoti Shrëder.  “Pa reforma çdo sistem shoqëror ngurtësohet. Pa reforma rruga e sukssesshme e Shqipërisë drejt BE do të jetë e pamundur. Inkurajoj cdo qeveri në rrugën e reformave. Shqipëria do t’i përballoj me sukses bashkë me solidaritetin europian” shtoi ai.  Ish kancelari Shrëder tha më tej se “Bashkimi Europian mbështet vendin tuaj. Merkel e bëri të qartë mbështetjen për Shqipërinë. E Shqipëria drejt BE-së është me rëndësi dhe interes për të gjithë. Edhe Shqipërisë i duhet BE, edhe BE-së i duhet Shqipëria. E ardhmja e këtij vendi është në mënyrë të qartë në Bashkimin Europian për shkak të identitetit të tij europian”. Zoti Shrëder u shpreh se ” Jam i vetëdijshëm edhe për shumicën e popullsisë myslimane. Por Shqipëria është një shembull pozitiv europian, ku komunitetet fetare bashkëjetojnë në paqe me njëri-tjetrin” tha ai.

Pasi ka përmendur rolin themelor konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ish kancelari ka përshëndetur fort përpjekjen e përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë për të anëtarësuar vendet e tyre në BE, si dhe takimin Rama – Vucic. “Takimi Rama-Vucic, i pari mes krerëve të dy vendeve pas 70 vitesh u quajt gjest i madh në Gjermani. Kemi nevojë për një rajon të Ballkanit Perëndimor të qëndrueshëm e të zhvilluar ekonomikisht” tha ai.

Ndërsa kryeministri Rama ka kërkuar që Europa të ndryshojë politikat në trajtimin e refugjatëve edhe ish-kancelari gjerman Schroder ka kërkuar solidarizim të të gjithëve me refugjatët. “Problemi i tyre nuk është vetëm I Gjermanisë, por gjithë Europës” tha ai.  Për sa i përket cështjeve të tjera me rëndësi si paqja dhe siguria në Europë e përtej saj, zoti Shrëder u përgjigj se kjo mund të arrihet mes bashkëpunimit dhe dialogut e jo konfrontimit.