KRYEFAQJA » LAJME » Shrëder Metës: Përshpejtoni reformat!
Shrëder Metës: Përshpejtoni reformat!

Shrëder Metës: Përshpejtoni reformat!

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të këshillojë Shqipërinë të përshpejtojë hapat drejt procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Në Tiranë që prej ditës së hënë ndodhet ish kancelari gjerman Gerhard Shrëder dhe bashkë me të raporteri për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian Knut Flekenstein. Zoti Shrëder u prit të martën nga kreu i parlamentit Ilir Meta. Duke garantuar se Gjermania do të mbështesi Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, ish kancelari gjerman tha se “ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të marrë vendimet e duhura, por edhe t’i zbatojë ato”. Ai tha se reforma konsensuale në drejtësinë shqiptare, jep shpresa për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shkoi më tej kur tha se arritja e konsensusit gjatë muajit korrik “duhet pasuar nga një proces thelbësor i dekriminalizimit total të mbarë jetës politike e parlamentare shqiptare me qëllim që në parlamentin e ardhshëm të sigurohet integriteti dhe përfaqësimi i duhur e dinjitoz i popullit shqiptar”. Zoti Shrëder dhe zoti Meta thanë se duhet punuar më shumë për të evituar çdo retorikë konfliktuale dhe për të rritur besimin mes palëve politike.
Në konteksin e zhvillimeve rajonale, dy presonalitetet vlerësuan se Procesi i Berlinit dhe avancimi i projekteve rajonale, do të sjellin më shumë investime dhe do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit në Ballkan.