KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Shteti Islamik konfirmon vdekjen e komandantit kryesor
islam-omar-al-shishani

Shteti Islamik konfirmon vdekjen e komandantit kryesor

Grupi militant i Shtetit Islamik pranoi se një nga drejtuesit e tij të lartë, i njohur me emrin Omer Shishani, ka vdekur, disa muaj pasi Pentagoni deklaroi se ai ishte vrarë në Siri, por kjo është hera e parë që ISIS e konfirmon vetë vdekjen e tij. Abu Omar al-Shishani, apo siç quhet ndryshe Omer Ceceni, i cili konsiderohej nga Pentagoni si ministri i luftës së ISIS, u tha se ishte vrarë gjatë një sulmi ajror në muajin mars në Siri. Një gjë e tillë u konfirmua në atë kohë nga zyrtarët e lartë të Pentagonit dhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ditën e djeshme, agjencia e lajmeve të ISIS, Amak, pretendoi se Shishani ishte vrarë gjatë luftimeve ne qytetin Shirkat të Irakut, në jug të Mosulit. Zyrtarët e Pentagonit u shprehën se e kishin dëgjuar këtë lajm, por as mund ta konfirmonin, as ta mohonin. Sipas CNN, po punohet për të verifikuar vërtetësinë e lajmit. Kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut u shpreh se Shishani ishte plagosur në mars, dhe vdiq në lindje të Rakës. “E konfirmova nga doktori që e pa atë”, u shpreh ai, ndërsa i tha agjencisë së lajmeve Reuters, se Shtetit Islamik mund ta ketë vonuar njoftimin e vdekjes së Shishanit për shkak se donte kohë të zgjidhte pasuesin e tij. Omer Shishani, apo Ceceni, nga Gjeorgjia, ishte mes militantëve më të kërkuar nga SHBA-të, të cilat kishin nxjerrë një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion në lidhje me të.