KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Shtohen prurjet nga rreshjet, KESH rrit kuotat e prodhimit dhe shitjes
Shtohen rreshjet, KESH rrit kuotat e prodhimit

Shtohen prurjet nga rreshjet, KESH rrit kuotat e prodhimit dhe shitjes

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare njoftoi se po ndjek nga afër situatën aktuale hidrike dhe regjimin e shfrytëzimit në HEC-et veçanërisht të kaskadës së lumit Drin, në kushtet e shtimit të prurjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit. Sipas të dhënave të orës 11:00 të së martës, niveli i ujit në HEC-in e Fierzës është 288.76 m, në HEC-in e Komanit 173.05 m ndërsa në HEC-in Vaut të Dejës 75.44 m.
Në zbatim dhe rregullores dhe udhëzimeve të Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare është duke menaxhuar situatën duke synuar mbajtën e kuotës në HEC Koman në 172.00 m ndërsa atë të HEC Vau Dejës jo më shumë se 75.00 m.
Sipas KESH situata paraqitet nën kontroll dhe prurjet aktuale po shfrytëzohen maksimalisht për prodhim energjie nëpërmjet shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve gjeneruese të disponueshme. Ndërkaq, KESH ka inicuar një procedurë për shitjen në tregun e parregulluar të tepricave të energjisë së prodhuar nga prurjet e mëdha. KESH po bashkëpunon edhe me partnerët për të minimizuar shkarkimet pa prodhim energjie, duke shfrytëzuar maksimalisht përfitimet që rrjedhin nga marrëveshjet e shkëmbimit dhe depozitimit të energjisë elektrike. Prodhimi ditor i energjisë në tre hidrocentralet e Kaskadës së Drinit është rreth 13 GWh ndërsa rezerva energjitike e vendit ka arritur në 1050 GWh.